PD kërkon reformë territoriale/ Alibeaj i sigurt se propozimi i opozitës do votohet nga të gjitha palët

24/09/2021 15:22

Partia Demokratike vendos si prioritet realizimin e ndryshimeve të reformës territoriale miratuar në vitin 2014.

Të gjitha degët e PD në rrethe janë ngarkuar të mbledhin të dhëna për problematikën e kësaj reforme e më pas të nisin konsultimet me ekspertët. Kur të ketë përfunduar ky proces PD do ti duhet një marrëveshje e re me shumicën e Edi Ramës. 

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj thotë se koha na dha të drejtë kjo reformë kishte shumë defekte.

“E kanë treguar besoj rezultatet elektorale vendore qoftë edhe ato politike, që ajo reformë u dezenjua thjeshtë e vetëm nga ky interes. Me një numër bashkish më pak është duke rezultuar se kostot e pushtetit lokal janë shtuar deri në shifrën 60 milion euro. Kudo të pyesësh në territor sidomos në zonat periferike në fshatra në zonat larg qendrave të qytetit, mosmarrja e asnjë lloj shërbimi nga pushteti vendor”, tha Alibeaj.

Por cila do të jetë oferta e PD për këtë reformë?

“Të jetë e qëndrueshme, të jetë funksionale dhe të garantojë atë çfarë është e rëndësishme zbritjen jo të pushtetit por qeverisjes pranë individit, tha ai.

Enkelejd Alibeaj tregon se si PD do ta realizojë këtë.

“E para marrëveshje nuk ka për të qenë të qartë dhe për këdo edhe për kritikët. Reforma territoriale ne e dimë që në parlament numrat janë ato që janë. Janë ato. Nuk është se do të paraqesim një propozim për reformën territoriale dhe s’kemi numrat dhe kaq. Ne duam që ajo reformë të shkojë deri në fund. Moralitetin këtij propozimi ia jep pikërisht se sa do të jetë ajo efektive dhe në dobi të qytetarëve. Nuk kemi komplekse të tilla të themi, po ky është propozimi ynë e të votohet nga të gjitha palët”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama është shpreh i hapur për të diskutuar  me opozitën por theksoi  në parlament  se reformat e parealizueshme me opozitën do t’i diskutojnë me qytetarët në formën e referendumeve.

Top Channel