Gjatë 2021-it turizmi është rimëkëmbur duke iu afruar niveleve të 2019-ës, kur ishte edhe piku i fluksit tonë. Muaji gushti rezultoi me vetëm 1.3% më pak turistë në vendin tonë se viti normal 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT në 8 mujorin e parë të 2021-it hynë në vendin tonë mbi 4,3 milionë shtetas të huaj ose 8% më ulët se në vitin 2019.

Gjeografia e turizmit të këtij viti sugjeron se 8-mujorin e parë të 2021-it shtetet me rënien më të fortë janë Greqia dhe Spanja, ndërkohë as Italia dhe Polonia nuk i kanë kapur nivelet e 2019-ës.

Ndërkohë shqiptarët e trojeve të tjera kanë mbajtur gjallë turizmin. Rreth 2.1 milionë shtetas nga Kosova  vizituan vendin tonë duke tejkaluar edhe 2019-ën, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me rreth 448 mijë vizitorë. Nga rajoni, edhe Mali i Zi kishte rritje të fortë në krahasim dhe me 2019-ën së bashku me grupimin e shteteve të tjera.

Ndikim të madh tek grupi i shteteve të tjera, mund të jenë ato të lindjes së mesme, Egjipti dhe India, për të cilët qeveria vendosi të hiqte vizat, duke u bërë kështu vendi i vetëm në Evropë pa kufizime. Prania e madhe e këtyre turistëve ka bërë që për herë të parë hotelet e kryeqyteti të jenë të mbushura plot në sezonin veror.

Gjithashtu me trend rritës kanë ardhur edhe daljet e shqiptarëve jashtë vendit në këtë 8-mujor, me 2.8 milion të tillë, dyfish më shumë se viti i kaluar, por 30% më pak se 2019. BE vendosi që të hiqte kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë dhe udhëtimi në zonën Schengen mund të bëhej vetëm me një tampon dhe plotësimin e formularit DTL.

Top Channel