“Në SHBA i dhashë informacion shefave për…”/ Yuri Kim flet pas takimit me Bashën, zbulon çfarë kanë diskutuar

24/09/2021 16:49

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka mbyllur takimin me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë blu, ku përmes një deklarate për mediat tha se ishte në SHBA për t’i dhënë informacion shefave të saj për situatën në Shqipëri.

Arsyeja pse Kim menjëherë shkoi në selinë e PD, pas kthimit nga Amerika ishte fakti se do t’i përcillte Bashën mesazhet nga Washingtoni.

Ambasadorja Kim tha se SHBA mbeten të angazhuara për të punuar ngushtësisht me PD-në, ndërsa shtroi se edhe pse PD sot ndodhet në një pozitë të vështirë shpreson që të dalë më e fortë dhe të fitojë sërish zgjedhjet.

Kam pasur mundësinë të flas me drejtues të DASH në SHBA. Kam pasur mundësi që t’i jap informacion shefave për situatën në Shqipëri. Besoj që ishte e rëndësishme që sa të vija nga SHBA, të vija në PD për të ndarë me të atë që kam mësuar nga Washington dhe si do vazhdojmë më tutje. Ndava me Bashën që Washingtoni mbetet i angazhuar për të punuar me ngushtësisht me PD. Qeveria e SHBA ka pasur marrëdhënie shumë të fortë me PD që në fillim të saj. Ne ishim atje me Partinë Demokratike kur mori pushtetin për herë të parë dhe shpresojmë të jemi në një pozitë edhe një herë për të festuar kur të marrë përsëri pushtetin.

Demokracia përkufizohet nga të pasurit e një partie opozitare të fortë dhe që lulëzon. E kuptojmë mirë që PD ndodhet në një pozitë të vështirë, por vërtetë shpresojmë që të dalë më e fortë dhe më e bashkuar dhe të jetë në opozitë dhe të fitojë sërish zgjedhjet”, deklaroi Kim.

Top Channel