Banorët e Krastës bllokuan mëngjesin e sotëm aksin rrugor Elbasan-Librazhd.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u ka ndaluar atyre daljen në këtë rrugë, për shkak të rrezikshmërisë. Sipas banorëve, askush nuk i ka lajmëruar për këtë bllokim. Ata pranojnë rrezikun që paraqet rruga dhe kalimi në të, por sipas tyre nuk është kjo zgjidhja.
Qytetarët e lagjes “Emin Matraxhiu” kërkojnë mbikalim në zonë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, që pas 30 minutash kanë liruar rrugën dhe ka vazhduar qarkullimi i automjeteve.
Tashmë banorëve të Krastës iu duhet të ndjekin një rrugë devijuese, që do t’u merrte shumë kohë sidomos për këmbësorët.
Për të dalë nga tuneli e për të kaluar rrugën, këmbësoreve u mbetet vetëm të shohin me kujdes e të luten të mos u ndodhi gjë, pasi në rrugë nuk ka asnjë sinjalistikë. Nuk janë të pakta rastet kur përpjekja për të kaluar rrugën ka përfunduar në aksident. Një vit më parë, një 20-vjeçare u përplas për vdekje nga një mjet tip “Volkswagen”, teksa po kalonte rrugën me motrën e saj.
Top Channel