Shqipëria i vetmi vend në Europë pa një spital-burg për të sëmurët mendor. Të dhunshëm, enden rrugëve

23/09/2021 20:40

Numri i veprave penale të kryera nga persona me probleme të shëndetit mendor po shkojnë drejt një rritje të frikshme, si pasojë e neglizhencës dhe keqmenaxhimit të shumë hallkave institucione.

Fiks Fare, gjatë një investigimi ka arritur të evidentojë dy raste të neglizhuara nga institucionet përkatëse. Rasti i parë, ka të bëjë me vijimësinë e një denoncimi mediatik me 20 Gusht 2021, ku një vajzë teksa kthehej nga puna pak minuta pas mesnate, u godit nga një i panjohur pa indicie. Pas denoncimit të vajzës së dhunuar dhe hulumtimeve të uniformave të policisë nga Komisariati nr 3, u bë i mundur identifikimi i agresorit. Ky i fundit rezultoi të ishte D. T, 29 vjeç i diagnostikuar prej kohësh me probleme të shëndetit mendor.

Nga kërkimet e gazetarëve të “Fiks Fare”, D. T u gjet në gjendje të lirë teksa ngjitej në shtëpinë e tij i maskuar me një kapele të zezë. Pas një kërkese për informacion në Komisariatin nr 3 Tiranë na u tha se ky shtetas është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje me dashje” dhe se ka rezultuar me probleme të shëndetit mendor, për të cilën ka paraqitur dokument spitalor. Në vijim të hetimeve D. T është shoqëruar për Spitalin Psikiatrik nr 5 për ndihmë mjekësore, pas egzaminimeve spitali ka vendosur mjekim të detyruar ambulator në kushte shtëpie dhe se ky shtetas mbahet nën kontroll të përditshëm për të parandaluar një tjetër ngjarje.

Rasti i dytë u evidentua në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku një e moshuar shfaqte shenja agresiviteti kundrejt fqinjëve dhe personave që kalojnë nën pallatin e saj duke hedhur nga kati i 6-të i banimit sende të forta. Fatmirësisht pa dëmtuar njerëz por bizneset nën pallat dhe ndonjëherë dhe makinat e parkuara anës rrugës, po. Në një bisedë me administratorin e këtij kompleksi , tha se janë bërë denoncime në emër të saj, por që nuk merren masa pasi ka probleme të shëndetit mendor. “Policia ka ardhur disa herë dhe nuk kanë mundur të bëjnë gjë, sepse ajo është e kartelizuar” shprehet administratori.

Në lidhje me trajtimin e këtyre dy rasteve dhe shumë të tjerave të ngjashme në një intervistë për Fiksin mjekja psikiatrie Irena Thoma, tha se këta persona duhet të trajtohen me mjekim të detyruar ambulator, dhe në rast se këta persona kryejnë një vepër penale, duhet të trajtohen në spital të izoluar deri në momentin e përmirësimit të gjendjes së tyre.
Gazetarët iu drejtuan për një intervistë edhe z. Ylli Manjani. Në kohën kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë në studion e “Fiks Fare” ka deklaruar se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të hapnin një “Institucion të Veçantë” si Zaharia, për të dënuarit me probleme të shëndetit mendor. Pasi institucioni aktual nuk i përmbush kushtet për trajtimin e këtyre personave gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Ai u shpreh se për këta persona duhet të ketë patjetër qendra izolimi ku mund të kurohen, duke theksuar se nuk mund të lihen në gjendje të lirë.” Projekti për ta mbyllur kampin e Zaharisë dhe të burgosurit të kalonin në ambientet e burgut të Shënkollit nuk m’u mbështet si projekt” shprehet Z. Manjani, por thekson se Zaharia duhet të mbyllet sa më parë.

Aktualisht në institucionin e Zaharisë janë të akomoduar 292 shtetas me masë mjekësore ” mjekim i detyruar”. Në përgjigjen e saj për Fiks Fare Ministria e Drejtësisë pohoi se është një plan – projekt për të ndërtuar një spital psikiatrik ligjor . Ndërkohë kjo ministri shkruan se janë ndërmarrë hapa të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të jetesës të kësaj kategorie në sistemin e burgjeve, duke cituar edhe ligjin e miratuar në 2020 pikërisht në trajtimin e personave, për të cilat gjykata ka vendosur zbatimin e masave mjekësore të detyrueshme. Kjo do bëhet nën administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë ndërkohë që Ministria e Drejtësisë do të jetë përgjegjëse vetëm për masat e sigurisë së ruajtjes së këtyre institucioneve. Por ende Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europë pa një spital-burg për të sëmurët mendor. Të dhunshëm dhe të rrezikshëm për jetët e qytetarëve ata lihen të lirë të enden rrugëve.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel