“Mbante 2 mijë lekë në xhep”/ Rrapo Taho flet për jetën e Davide Pecorellit në Vlorë, zbulon ditën e fundit që janë takuar: Tha se kishte të atin sëmurë dhe…

23/09/2021 19:46

Rrapo Taho, ish futbollisti i Flamurtarit, tashmë trajner i ekipeve të reja ka folur ekskluzivisht për Top Channel duke treguar se si u njoh me biznesmenin italian Davide Pecorelli, i cili përdorte emrin Cristiano kur qëndronte në Shqipëri.

Rrapo tregon se u njohën në fillim të muajit Qershor në zonën e plazhit mbas tunelit në Vlorë, ku pothuajse çdo ditë të vitit edhe në dimër, disa vlonjat parapëlqejnë këtë zonë.

Rrapo tregon se ai ka marrë vesh që ishte ish futbollist dhe i ishte afruar duke i bërë shumë pyetje. Ai i ishte prezantuar Rrapos duke i thënë: “Jam Cristiano, kam qenë gjyqtar”. Edhe pse u njohën brenda një kohe shumë të shkurtër, arritën të krijonin miqësi.

“Davide ka qëndruar i vetmuar një periudhë, duke lexuar libra, ose dhe shkruante”, tregon Taho, duke shtuar: “Takoheshim pothuajse çdo ditë dhe ne e afruam duke pirë dhe kafe e duke bërë biseda të ndryshme. Ai për ne ishte një djalë i çiltër, i qeshur. Ky tip më duket i çuditshëm pasi të qëndrosh në Vlorë kaq kohë duhet të jetë tip agjenti.”

Rrapo tregon se e ka pyetur për moshën dhe Davide i ishte përgjigjur se ishte 48 vjeç dhe beqar, por nuk kishte treguar që kishte fëmijë. Sa i përket vendit ku jetonte, kishte blerë një apartament me vlerë 35 mijë euro në zonën e Ujit të Ftohtë.

“Cristiano ka krijuar marrëdhënie shumë të mira me shumë vlonjat , por dhe me pushues të huaj.Ai thoshte çdo herë që jam shkrimtar dhe po bëj një libër Monte Criston duke u frymëzuar nga Sazani. Duke qenë i vetmuar dhe ne si vlonjat që shprehnim zemërgjerësinë e ftonim çdo herë për kafe, ndërkohë që ai vetëm një herë ka paguar dhe vetëm dy mijë lekë të vjetra mbante në xhep. Ndonjëherë i jepte raki 3-4 vetave. Njëri pinte birrë, por për raki kam lekë thoshte, nuk kam lekë për më shumë.

Unë e pyesja kur do ikësh, ai gënjente duke thënë jo javën tjetër jo muajin tjetër. Ndërkohë që ne do iknim për një ndeshje miqësore në Gumenicë ai shprehu dëshirën që do vinte me ne, por nuk erdhi pasi u justifikua se kishte babanë sëmurë dhe do ikte me avion. Kjo ka qenë dhe dita e fundit që jemi parë.

Pasi ai u gjet në Itali, tre ditë pas, miqtë e mi më thonë që Cristano nuk është ai, por Davide dhe ballafaquam fotografinë, duke vërtetuar që ishte ai. Na ka befasuar pasi nuk kishte përshtypje se mund të bënte të tilla gjëra, pasi ishte gazmor, i dashur, i qetë. Edhe kur isha në Gumenicë e pyeta nëpërmjet telefonit si e kishte babanë  dhe nëse kishte mbërritur në Itali,  ai u përgjigj.  Më dërgon mesazh, “Faleminderit, është mirë”. Kam komunikuar me numrin shqiptar që ka. Ndërkohë pas dy ditësh tentova ta rimarr sërish por asnjë përgjigje. Ai ishte shumë i komunikueshëm me të gjithë dhe i respektueshëm”, shprehet Rrapo.

FOTO GALERI
2/18

Top Channel