Një tjetër ish-interist nderon sërish në fund Paris Saint Germain.

Fakti që ka në ekip sulmues të kalibrit të lartë botëror si Mbappe apo Neymar nuk po i mjafton skuadrës së Pochettinos që në sfidën ndaj Lyon iu fal Mauro Icardit ndërsa këtë herë pa Lionel Messin të dëmtuar, vuajti shumë në transfertën ndaj Metz duke fituar vetëm në minutën e 95-të falë një goli shumë të bukur të Achraf Hakimit.

Mbrojtësi i krahut të djathtë ishte ai që gjithashtu hapi serinë e golave në minutën e 5-të, por Metz barazoi me Kouyate në minutën e 39-të. Goli i fitores 1-2 në shtesë përtej shtesës erdhi sërish nga Hakimi që kompletoi mbrëmjen e tij magjike me një dygolësh duke udhëhequr PSG-në drejt fitores së 7-të radhazi në këtë kampionat, në po kaq takime.

Në fund sfida u mbyll me tension por për parizienët të rëndësishme ishin tre pikët që i shkëputën më shumë në krye nga ndjekësit më të afërt pasi Marseille barazoi pa gola në transfertën ndaj Angers ndërkohë që Nice u mposht 1-0 nga Lorient. Fitoi 3-1 me përmbysje Lyon ndaj Troyes me Xherdan Shaqirin që gjeti golin e tij të parë në aventurën e tij franceze.

Top Channel