Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga Qeveria e Kosovës të hënën.
Përmes një deklarate për shtyp, zyra e Borrell ka kërkuar shmangjen e çfarëdo lloj provokimi të mundshëm pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës. “Bashkimi Evropian bën thirrje për ulje menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës. Çdo provokim ose veprim i njëanshëm duhet të shmanget pasi që ato do të shkonin direkt kundër interesave të njerëzve në rajon”, thuhet në njoftimin e zyrës së Borrellit, raporton RTK.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet të zbatojnë secilin obligim të nxjerrë nga dialogu i Brukselit. “Ne i bëjmë thirrje lidershipeve në Beograd dhe Prishtinë të marrin pozicione të përgjegjshme dhe të punojnë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për shmangien e ndonjë përshkallëzimi të mëtejshëm, për të rivendosur një atmosferë paqësore dhe për të punuar për një zgjidhje të zbatueshme”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se është në interesin e të gjithëve të kërkohet një rrugë përpara që mundëson lirinë e lëvizjes dhe që përmirëson jetën e përditshme të njerëzve. “BE -ja dhe Shtetet Anëtare i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre të dala nga dialogu pa asnjë vonesë të mëtejshme”, ka thënë Borrell.
Top Channel