Edevaldo Haxhiu, shqiptari që ndihmoi milionerin e kriptomonedhës turke, Faruk Fatih Özer gjatë arratisjes është arrestuar.
Sipas medias turke, Sabah. Haxhiu, nipi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës, i cili mori Özer nga aeroporti në Tiranë dhe e dërgoi në hotel, u arrestua nga policia e Tiranës në orën 00:30 gjatë mesnatës.
Mësohet se ai nuk i ka pranuar akuzat duke u shprehur se nuk e njihte Fatih Ozerin dhe se akuzat nuk ishin të vërteta.
Megjithatë, u mësua se policia kishte shumë dëshmi se shqiptari ishte “personi që ndihmoi Fatih Özer të vinte në Shqipëri”.
Milioneri Özer u arratis nga Turqia në 20 prill dhe u strehua në Shqipëri bashkë me një server, brenda të cilit mbahen 108 milionë dollarë në kriptomonedha.
Si ndodhi ngjarja?
Zyra e Kryeprokurorit Publik të Anadollit nisi një hetim më 22 prill, pas një raporti se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre në shkëmbimin e parave kripto Thodex dhe se pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.
Në këtë kontekst, u vërtetua me dokumente dhe regjistrime zyrtare se i dyshuari, pronari i kompanisë, Faruk Fatih Özer, shkoi jashtë vendit më 20 prill dhe nuk kishte aktivitet në adresat zyrtare të kompanisë.
82 urdhra arresti u lëshuan për të dyshuarit e përfshirë, përfshirë edhe Ozer.
81 të dyshuar u kapën në operacionin e organizuar në 8 provinca me bazë në Stamboll nga ekipet e Zyrës së Degës Kundër Krimit Kibernetik, përfshirë edhe vëllezërit e Faruk Fatih Özer, Güven dhe Serap Özer.
Ozer i kërkoi motrës së tij Serap Özer të gjitha dokumentet e kompanisë më 18 Prill për shkak të problemeve të biznesit dhe iku në Shqipëri dy ditë me vonë.
Në deklaratën e saj, Serap Özer, e cila u ndalua për hetim, deklaroi se vëllai i saj Faruk Fatih Özer kërkoi një raport piraterie të kompanisë në 18 Prill, 2021, dokumente në lidhje me rastet e kompanisë, bilancin e gjykimit dhe dokumentet e buxhetit e vendimin.
Özer shkoi jashtë vendit me këto dokumente dhe miliona dollarë para që fitoi duke mashtruar 400 mijë njerëz.
Mediat turke thanë më parë se biznesmeni turk po fshihet në Shqipëri nga mafia, duke e bërë më të vështirë edhe identifikimin e vendndodhjes së tij, ata deklarojnë se ai po mbrohet në këmbim të ryshfetit.
Policia turke ka dërguar një ekip prej pesë personazh në Ballkan, ku njëri prej tyre është duke punuar me autoritetet shqiptare me qëllim gjetjen dhe kapjen e Faruk Fatih Özer, i cili dyshohet se ka zhdukur rreth 2 miliardë dollarë të më shumë se 390 mijë investitorëve në kriptomonedhën turke “Thodex”.
Ndërkohë, katër të tjerë kanë shkuar në Kosovë, Maqedoni, Bosnje dhe Mal të Zi ku dyshohet se turku mund të arratiset.
Më herët, policia zbuloi edhe vendndodhjen e tij duke dhënë edhe adresa.
Media turke “EnSonHaber” shkruante se pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre net, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë.
“EnSonHaber” raporton duke iu referuar burimeve nga policia turke se Faruk Fatih Özer nuk ndejti shumë aty pasi u zbulua nga autoritetet duke u transferuar në një tjetër zonë, pikërisht në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet.
Gjithashtu edhe ai vend u zbulua dhe së fundmi ai u zhvendos në zonën e “21 Dhjetorit” ku edhe ka humbur gjurmët.
Ndërkohë, policia ka blinduar edhe Fierin e Vlorën pasi dyshohet se Faruk Fatih Özer mund të arratiset me skaf për në Itali.
Edhe Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me ngjarjen.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurma”. Vihet në pranga 1 shtetas, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”. Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurma”. Pas një hetimi të nisur në vitin 2021, nga autoritetet ligjzbatuese turke dhe pas veprimeve hetimore të ndërmarra, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar një procedim penal dhe ka kryer veprime të vazhdueshme dhe të thella në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”. Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka ndaluar shtetasin: E. H., 36 vjeç, banues në Tiranë. Situata kriminale e ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale nëpërmjet platformave të krijuara për këtë qëllim, duke rezultuar në mashtrimin e një numri të madh shtetasish të huaj (deri më tani). Gjithashtu, nga informacionet e marra, vlera e mashtrimit që shtetasi turk F. O. ka kryer si autori kryesor i kësaj vepre është rreth 2 miliard dollarë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ka dyshime të forta dhe të arsyeshme se shtetasi E. H. ka kryer veprime aktive, me qëllim që të ndihmonte shtetasin turk F. O., për t’iu shmangur organeve ligjzbatuese, duke e transportuar dhe e fshehur atë. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë skemë kriminale dhe vendosjen e tyre përpara drejtësisë. U kryen veprimet procedurale përkatëse dhe materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”, shkruan policia e shtetit.
Top Channel