Stefan Kuntz është zyrtarisht trajner i kombëtares turke të futbollit. Trajneri gjerman ka firmosur një kontratë tre vjeçare me Federatën Turke të futbollit dhe do të nisë eksperiencën e tij në fillim të muajit tetor, me eliminatoret e Kupës së botës ndaj Norvegjisë dhe Letonisë.

Në një intervistë për mediat vendase, 59-vjeçari nuk e fshehu kënaqësinë për detyrën e re që i është besuar, teksa duke kujtuar eksperiencën e tij si futbollist te Besiktasi, e quajti këtë eksperiencë si një rikthim në shtëpi.

“Është pak a shumë një rikthim në shtëpi, pasi unë kam luajtur në Turqi, me fanellën e Besiktasit. Dua të bëhem gjermani më turk. I njoh mirë futbollistët e kombëtares turke dhe jam shumë i karikuar për këtë eksperiencë të re, pasi jam i bindur që do të bëjmë shumë mirë”, deklaroi Kuntz.

Trajneri 59-vjeçar gjerman ka drejtuar Shpresat e Gjermanisë në vitet e fundit dhe ka bërë mjaft mirë, duke fituar dy herë radhazi Kampionatin Europian U21, më 2017-ën dhe 2021-shin, ndërsa në prezantimin si trajner i Turqisë, nuk ngurroi të falënderojë edhe drejtuesit e Federatës gjermane për bashkëpunimin.

Stefan Kuntz merr kështu vendin e Senol Gunes, i cili u shkarkua pas humbjes së thellë të Turqisë, 6-1 në Holandë dhe misioni i trajnerit gjerman është t’u sigurojë turqve një biletë për në Kupën e Botës Katar 2022.

Top Channel