Kosova ndalon hyrjen e automjeteve me targa serbe, Vuçiç reagon pas deklaratave të Kurtit: Marrëveshja nuk është e shkruar askund!

20/09/2021 20:54

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka dalë në një konferencë për shtyp për situatën në kufirin Serbi-Kosovë për bllokimin e targave serbe duke thënë se do të njoftohen KFOR-I dhe NATO për rrezikimin e pronës dhe jetës që po i bëhet qytetarëve serb në veri.

“Nesër do të takohemi me ambasadorët e QUNT-it dhe më pas do të mblidhet Këshilli i Sigurisë. Shpresojmë mos të jemi të detyruar të vendosim sanksione politike dhe ekonomike”, – u shpreh ai.

Vuçiç u shpreh se me Kosovën kërkonte vetëm paqe dhe dialog që prej tyre refuzohet, ndërsa me tone kërcënuese shtoi se Serbia do të mbrojë popullin e saj dhe nuk do të lejojë të rikthehen trazirat e marsit të 2004-ës.

Deklaratës së Kurtit se targat reciproke janë vetëm një zbatim i marrëveshjes së nënshkruar në BE, Vuçiç iu përgjigj se një e tillë ekzistonte vetëm për targat me iniciale KS, ndërkohë që këto me vendim qeverie nuk njihen më.

“Kjo marrëveshje është në kokën e Kurtit dhe se ndoshta është konsultuar me mentorët e tij. Kjo nuk është e shkruar askund, as nuk do të jetë”, ka thënë Vuçiçi.

Teksa foli për marrëveshjet e BE-së, Vuçiç përmendi se edhe Kosova nuk e ka zbatuar Asosacionin e Komunave Serbe.

Gjithashtu duke treguar me foto një ambulancë, e cila ishte penguar për të hyrë në veri të Kosovës, ai i bëri thirrje qytetarëve serb të mos bien pre e provokimeve të “Prishtinës zyrtare” siç e quajti ai, por të jenë paqësorë në protestat e tyre.

Më tej Vuçiç shtoi se po pret dhe reagimin e përfaqësuesve diplomatikë të BE-së, Lajcak dhe Borell, të cilët janë në dijeni të marrëveshjeve të nënshkruara dhe ku sipas tij është folur dhe për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së targave me iniciale “KS”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA