Dinamo dhe Laçi ndahen në paqe/ Mbyllet në barazim 1-1 ndeshja në “Elbasan Arena”

18/09/2021 01:59

Sfida e javës së dytë të Kategorisë Superiore mes Dinamos dhe Laçit u mbyll në barazim 1-1. Të dyja ekipet u futën në këtë takim me ambicie maksimale për të rrëmbyer tre pikët por në fund u ndanë në paqe duke ndarë pikët.

Në pjesën e parë të takimit, kurbinasit ishin më kërkues duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi portën e Romeo Harizaj por me kalimin e minutave nëndetësja blu mori në dorë kontrollin e lojës dhe në minutën e 42 realizuan me anë të Sofranac por pas rishikimit në sistemin VAR, goli u anullua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Fraksioni i dytë i lojës nisi sërish me intensitet të lartë dhe në minutën e 53 Dinamo gjeti golin e epersisë me një autogol të shkaktuar nga Shehu pas harkimit të Isaevskit. Minutat në vijim ishin të dominuara nga skuadra e Lacit dhe u shpërblyen për lojën e prodhuar me një gol spektakolar të shënuar nga Roganovic në minutën e 89.

Nëpërmjet këtij barazimi, Dinamo shkon në kuotën e 4 pikëve ndërsa kurbinasit marrin pikën e parë në edicionin e ri futbollistik pas humbjes që pësuan ndaj Vllaznisë.

Top Channel