Thomas Brdaric nuk e fsheh, me Teutën është më shumë se një ndeshje. Me titullin të munguar në ndeshjen e fundit të kampionatit të shkuar dhe po ashtu dhe Superkupën që shkoi në Durrës në debutimin e sezonit të ri, në kampin shkodran nuk e fshehin dëshirën për një hakmarrje sportive.

Të gjithë mezi po e presim këtë ndeshje dhe jemi gati Të gjithë janë të inkurajuar për të dhënë kontributin e tyre dhe për t’u përmirësuar. Kjo është një thirrje edhe për tifozët tanë, duam që të jemi gati në çdo lloj mënyre të mundshme. Nesër është një ndeshje e madhe, do të luajmë me Teutën, kemi disa gjëra pezull me ata. Nuk duhet të flasim shumë, të gjithë janë më se të përqendruar për ndeshjen.

Vllaznia shënoi 5 gola në ndeshjen e parë, por po aq e vërtetë është se pësoi tre. Dy aspekte të ndryshme që ofrojnë shije dhe detyra të ndryshme në syrin e një trajneri.

Kemi biseduar me lojtarët për ndeshjen e kaluar dhe jemi mjaft të kënaqur që shënuam 5 gola. Megjithatë, kemi folur edhe se si i pësuam tre, mendoj se kemi qenë mjaft të përkushtuar gjatë stërvitjes së kësaj jave dhe jemi stërvitur mirë. Synojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv. Fitorja ndonjëherë arrihet edhe me një gol, nuk i dihet kurrë, sepse varet edhe si shkon ndeshja. Duhet të përmirësohemi akoma më shumë në mbrotje. Ne, si Vllazni, jemi një ekip ofensiv. Ne nuk duam të ndryshojmë parimet dhe bazat tona në lidhje me këtë gjë. Mendoj se dhe tifozët identifikohen më këtë lloj loje që ne bëjmë dhe e shikojnë veten e tyre te kjo lojë që ne bëjmë.

Përkrah trajnerit, në konferencë për shtyp, Ante Aralica. Sulmuesi kroat, që e nisi kampionatin duke shënuar një gol ndaj Laçit, transmeton frymën e grupit dhe dëshirën e madhe për një fitore, teksa flet edhe për aspektin personal.

“Jemi të kënaqur, jemi të përqendruar që të fitojmë ndeshje pas ndeshjeje. Nuk premtoj gola, por premtoj që do të bëj punë të madhe. Në fund të ditës është trajneri ai që vendos, unë do të bëj më të mirën time për Vllazninë. Pas ndeshjes me Laçin, atmosfera është shumë e mirë, fituam tani duam të fitojmë dhe sfidën e ardhshme.”

Top Channel