Sot Tirana përkujtoi 79 vjetorin e Konferencës së Pezës, një nga ngjarjet më të rëndësishme për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me përfaqësues të qeverisë dhe të shoqatave të veteranëve morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Pezë, ditë kjo që përkon edhe me votimin e qeverisë së re në Parlamentin Shqiptar.
Veliaj tha: “Është dita kur po formohet qeveria e re, e të majtëve, e të djathtëve. Qeveria jonë, si një besëlidhje e re, qeveria e tretë e Edi Ramës si një besëlidhje e re për t’i shërbyer të gjithëve pa dallim feje, krahine, pa dallim ideje ashtu siç e kërkon Konferenca e Pezës. Jam ndjerë shumë krenar me ngjarjet e fundit ku qeveria jonë hapi dyert e Shqipërisë për të mirëpritur popullin afgan. Dhe në kulmin e luftës këtu në Pezë ne kemi mirëpritur hebrenjtë, ishin 200 përpara lufte, ishin 2000 pas lufte. Jo vetëm u kujdesëm për lirinë tonë, por u kujdesëm edhe për lirinë e të tjerëve”.
Teksa rikujtoi që vitin tjetër Tirana do mirëpresë të rinj nga e gjithë bota në kuadër të “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, kryebashkiaku u shpreh se, – “Më vjen mirë gjithashtu që Ursula Von der Leyen, presidentja e Këshillit Evropian deklaroi që gjithë viti tjetër do të jetë viti Evropian i rinisë. Nuk mund të kemi një rini të shëndoshë nëse nuk kthehemi pas për të kuptuar ku i kemi rrënjët.”
Gjatë ceremonisë, u vendosën kurora me lule në monumentin dhe varrezat e dëshmorëve në Pezë.
Top Channel