Vinicius Junior është emri më i lakuar për momentin në Madrid, me brazilianin që po kalon një formë të shkëlqyer në aspektin personal duke rezultuar vendimtar për madrilenët e Ancelottit. Në katër javët e para të kampionatit, 21-vjeçari ka shkundur plotë 4 herë rrjetat e kundërshtarëve dhe për herë të parë me “Los Blancos” braziliani ka arritur të shënojë 4 gola, pasi edicionin e kaluar në 35 ndeshje shënoi vetëm 3 gola.

Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në rritjen e sulmuesit, i cili tashmë ka rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve në Spanjë. Vinicius ndihet plotësisht madrilen dhe tani e ka kuptuar se ai është një lojtar i rëndësishëm për klubin dhe skemat e trajnerit.

Ka patur momente të vështira në karrierë, por në asnjë moment ai nuk mendoi për t’u dorëzuar, pavarësisht faktit se Zidane e mbante pothuajse vazhdimisht në stol. Çelësi është se Ancelotti i ka dhënë besimin e plotë, ia ka bërë me dije se ai është qëndër të projektit dhe vazhdimisht braziliani ka qenë i pashqetësuar edhe gjatë merkatos, kur shumë zëra afronin Mbape me Realin.

Forma e Vinicius është fantastike, i kanë mjaftuar 4 ndeshje për të përmirësuar statistikat e tij personale dhe koha po i jep të drejtë të dyja palëve, lojtarit dhe klubit. Për formën e lojtarit u shpreh besimplotë edhe ish-i i Realit, Savio Botolini, i cili tregoi se brazilianin e kishte ndjekur me vëmendje që në hapat e tij të parë me Flamengon dhe tani ai po përmbush të gjitha kërkesat që klubi apo edhe skeptikët kanë patur mbi të, ndërsa tifozët janë thjeshtë të dashuruar pas tij.

Top Channel