“Kam mbetur i shokuar”/ Djali mysliman dhe vajza katolike rrëfejnë historinë e dashurisë: Ka qenë e vështirë për shkak të fesë

15/09/2021 13:09

Robertina Mataj dhe Ardi Dina janë një çift të dashuruarish nga Gjakova që nuk janë penguar nga besimet e ndryshme fetare për të vijuar historinë e tyre.

Në një rrëfim për “Shqipëria Live”, kanë treguar se si nisi romanca mes tyre pasi Robertina jetonte në Zvicër dhe Ardi punonte në një lokal në Kosovë. Pavarësisht frikës së Robertinës për reagimin e prindërve se Ardi i përkiste një feje tjetër, nuk pati asgjë që mund t’i pengonte dhe asnjë paragjykim që do të shkaktonte krizë në çift.

Ndërsa familja e Ardit nuk e ka parë asnjëherë si problem lidhjen e djalit me një vajzë të fesë së krishterë.

Ardi: Jemi takuar në lokal. Kisha mbetur i shokuar se më ka pëlqyer shumë në pamje fizike pastaj jam munduar me forcat e mia të bie në kontakt me të dhe ia kam arritur.

Robertina: Kam qenë e para që e kam parë dhe më ka pëlqyer e me shikime ia kemi nisur. Kur kam kaluar nga banaku ku janë bërë pijet, ai ka dalë dhe më ka dhënë dorën.

Ardi: Kisha frikë se po më ikën e thashë më mirë ta ndal menjëherë. Robertina vinte çdo verë në lokal dhe shkoja nga pak.

Robertina: Ne njihemi që 6 vjet por fillimi ka qenë si shokë. Ndoshta kemi folur 3 muaj, ndoshta 2 muaj nuk kemi folur. Nuk kemi qenë bashkë që prej fillimit. Në prezantimin në familje, ka qenë shumë e vështirë për shkak të fesë. Nëse do kisha njohur një katolik, familja do e dinte por tek Ardi ka qenë më zor se nuk kishin si ta njihnin familjen e tij. Babi ka qejf t’i njohë njerëzit, është më strikt për këtë punë. Babi më ka thënë që kryesorja është të të pëlqejë ty. E kam ditur qëllimin e babit që të jetë shqiptar dhe i fesë së krishterë. Prindërit e mi janë praktikantë, shkojnë në kishë. Ne jemi rritur në Zvicër dhe jam rritur me idenë që të respektosh fetë e tjera.

Ardi: Në fillim e kam pasur të vështirë, por nuk jam dorëzuar. Për familjen time nuk ka pasur asnjë pengesë se më shumë janë munduar të më përkrahin dhe ende vijojnë për të çuar jetën me personin që e do. Prindërit e mi më kanë sugjeruar vetëm të jetë vajzë e mirë, e familjes së mirë, por për gjëra të tjera nuk e kanë hapur asnjëherë temën. Për takimin e parë me familjen e saj, kam pasur siklet dhe janë sjellë shumë mirë. Celebrimin e bëjmë ku të dojë Robertina.

Top Channel