Pasi vret të dashurin me helm, gruaja thotë se ‘vrau veten prej homoseksualitetit’ (fotot)

14/09/2021 18:05

Kur partneri i Natasha Beth Darcy vdiq papritur, policia australiane nisi shpejt të ngrejë dyshime, pasi kërkimet e saj në Google tregonin se kërkonte ndihmë për ta bërë çështjen e saj të ngjasonte me një serial televiziv.

Mjeku i ambulancës Colin Crossman u thirr pas njoftimit se një burrë ishte gjetur i vdekur në krevat, dhe në një koinçidencë të pabesueshme, trokitjes së tij iu përgjigj ish-gruaja, Natasha Beth Darcy.

Ky nuk kishte qenë një ribashkim i lumtur i tyre.

Disa vjet më herët në 2009, Darcy kishte insistuar që Crossman të siguronte jetën e tij, dhe pak më vonë e kishte goditur me çekiç në kokë duke e bërë të humbiste ndjenjat.

Më pas ajo e kishte droguar me qetësues, dhe ishte përpjekur të digjte shtëpinë teksa ai flinte. gruaja u zbulua dhe me pas u burgos për krimet e saj.

Ndërsa kësaj here i shtrirë në krevat ishte partneri i fundit i Darcy, një fermer australian nga New South Wales i quajtur Mathew Dunbar.

Gruaja u tha hetuesve se ai kishte kryer vetëvrasje, pasi nuk po përballonte dot faktin se “ishte gay” dhe kishte një plagë në këmbë.

Por oficerët nuk i besuan aq kollaj.

Çifti ishin njohur në një rrjet njohjesh të reja, dhe pak më vonë Darcy nisi ta ‘persekutonte’ që ai të siguronte jetën e tij, në mënyrë që ajo të perfitonte pronën prej rreth 2 milionë dollarë nëse vdiste.

Në 2015, kur ata kishin qenë bashkë prej një viti, ajo i shkruante Dunbar: “Do të më premtosh të bësh vetëm një gjë për mua kësaj jave? Merr avokatin në telefon dhe zgjidh punën e testamentit.”

Kur ai nuk u përgjigj për disa minuta, ajo shkroi përsëri: “OK, heshtja jote i thotë të gjitha.”

Por muajin tjetër ai e kishte ndryshuar testamentin e tij.

Të dhënat e bisedave telefonike rezultuan thelbësore për hetimet e policisë.

Duke parë një ndeshje regbie në vitin 2017, ajo kishte kërkuar në internet “Si të kryesh vrasje.”

Pak më vonë ajo kishte pyetur ne rrjet: “A i sheh policia faqet e internetit që viziton?”

E gjithë historia e saj e kërkimeve në Google ishte si një manual vrasësi, si për shembull merimanga e bimë toksike që ngjajnë si ushqim, apo “si të vrasësh dikë me gaz helium”.

Gjatë një marrje në pyetje në polici ajo pretendonte se Dunbar kishte dashur të vdiste pasi çifti nuk kishin pasur jetë seksuale: “Kjo ishte një pjesë e depresionit të tij. Të ishe një fermer i fortë, dhe të ishe ‘gay’”.

Në gjyqin e saj gruaja mohoi vrasjen, por pranoi se e kishte ndihmuar të vriste veten duke vendosur një qese plastike në kokë e duke u mbytur me gaz.

Dëshmitarët ishin të shumtë për të thënë që ajo gënjente. Megjithse Dunbar kishte pasur depresion në të shkuarën, miqtë e tij thonin se nuk ishte homoseksual, ndërsa mjeku i tij tha në dëshmi se Mathew ishte “shumë i lumtur” për përmirësimet e plagës së tij në këmbë.

Patologu ligjor tha se Dunbar ishte droguar me një qetësues të fortë kuajsh të hedhur në qumështin e tij.

Policia zbuloi gjithashtu se pasi gruaja kishte parë një seri të serialit amerikan Frasier, Darcy i kishte ofruar një shoqeje 10,000 dollarë për të gënjyer duke thënë se viktima i kishte folur për vetëvrasje.

Në gjyqin e vrasjes, prokurori Brett Hatfield tha: “Zoti Dunbar mund të ketë dashur dashuri e familje, por çfarë mori në fakt? Një person të ftohtë e dinak, të vendosur për ta vrarë e të trashëgojë pasurinë e tij”.

Gjykatësja Julia Lonergan shpalli 46-vjecaren fajore për vrasje, dënimi për të cilën do të jepet muajin që vjen.

FOTO GALERI
1/5
Gruaja u tha hetuesve se ai kishte kryer vetëvrasje, pasi nuk po përballonte dot faktin se “ishte gay”

Top Channel