“Sa të jem unë këtu, jo”, Kurti: Kurrë ndryshim kufijsh për Kosovën!

13/09/2021 16:16

Albin Kurti u shpreh në një intervistë për Al Jazeeran se shkëmbimi i territoreve, një projekt i vdekur sipas tij në Kosovë, po mbahet ende gjallë në Beograd.

Kryeministri kosovar deklaroi se ai vetë, nuk ka për ta pranuar kurrë. “ “Shkëmbimi i territoreve nuk është as zgjidhje.

Do t’i bënte gjërat më keq. Unë dua zgjidhje demokratike, zgjidhje paqësore dhe shkëmbimi i territoreve është rrugë që na çon në konfliktet e të 90-ve dhe që nuk do të mbetej konflikt veç në mes Kosovës dhe Serbisë, por do shpërndahej edhe në Ballkanin Perëndimor.

Unë s’e pëlqej këtë mënyrë të të bërit politikë ku presidentët apo kryeministrat mendojnë se janë monarkë të mesjetës dhe territorin e shtetit e konsiderojnë si pronë private dhe shtetin si shtëpinë e tyre.

Kështu që unë e kundërshtoj këtë model që i bën gjërat më keq se që janë”, tha ai. Kurti shtoi më tej “projekti për shkëmbime territoresh ka dështuar, por ideja s’ka vdekur dhe është shumë e gjallë në Beograd, sepse të gjithë vendet fqinje të Beogradit si Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut që nuk janë të integruara në BE, fatkeqësisht Beogradi i konsideron shtete të përkohshme dhe duke imituar federatën ruse dëshiron t’i forcojë faktorët e vet në shtete fqinje si parashtete satelite në mënyrë që t’i bëjë fqinjët e vet jofunksionalë, por kjo s’ka gjasa të ndodhë me Republikën e Kosovës.

Top Channel