Rritet numri i pacientëve me COVID-19 në spitalet e Kosovës

13/09/2021 13:25

Në spitalet dhe klinikat e Kosovës ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë të shtrirë 976 pacientë, bëri të ditur Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Kjo shifër paraqet rritje të hospitalizimeve krahasuar me një ditë më parë, ku nga 960 pacientë të shtrirë në spitale dhe klinika, 846 pacientë pozitivë me koronavirus, po merrnin trajtim mjekësor.

Numri i pacientëve në gjendje të rëndë shëndetësore është rritur po ashtu, ku sipas njoftimit të 13 shtatorit, 63 pacientë janë në kujdes intensiv dhe një ditë më parë ishin 56. Ndërkaq, sipas njoftimit 831 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Sipas raportit ditor, numri më i madh i pacientëve në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është në Klinën Infektive, ku po trajtohen 97 pacientë.

Ndërkaq, spitali i Pejës vazhdon të ketë numrin më të lartë të pacientëve, ku aktualisht janë 174 të shtrirë.

Më 13 shtator, në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja, që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejme të sëmundjes COVID-19.

Kosova javëve të fundit po përballet me rritje të rasteve dhe vdekjeve nga koronavirusi. Gjatë dhjetë ditëve të fundit janë regjistruar 237 vdekje nga COVID-19./REL/

Top Channel