Kosova ashpërson masat/ Mbyllen kopshtet, studentët që duan të rrinë në konvikte duhet të jenë të vaksinuar

12/09/2021 16:48

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se situata epidemiologjike mbetet akoma e ndjeshme dhe e paqëndrueshme në Kosovë e për këtë arsye janë marrë disa masa të reja.

Ndër masat është mbyllja e institucioneve parashkollore e qëndrimeve ditore, shtyrja e fillimit të mësimit për dy javë, ndalimi i mësimit me prezencë fizike në universitete.

Po ashtu studentët për t’iu mundësuar regjistrimi në konvikt, duhet të kenë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik.

“Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri më datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar”, thuhet në masat e reja që u diskutuan në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Vitia tha se deri tani Kosova ka administruar më shumë se 1 milion doza dhe me së paku një dozë janë vaksinuar mbi 680 qytetarë apo mbi 50 për qind qytetarë që mund ta marrin vaksinën.

Po ashtu ai ka paralajmëruar se numri i shtrimeve në spital mund të rritet përsëri.

“Valë të reja natyrisht që do të ketë dhe numri i hospitalizimieve mund të rritet përseri. Mbi 93 për qind e hospitalizimeve janë të pavaksinuar dhe ky është një trend që po e ndjek edhe vendet tjera”, shtoi ai.

Vitia theksoi se nga kjo javë ekipet e vaksinimit, në të gjitha qendrat do të punojnë 7 ditë në javë dhe për gjatë festave zyrtare për të ofruar qasje për t’u vaksinuar.

Nga rekomandimet e fundit kanë treguar se vaksina është e sigurt edhe për gratë shtatëzëna”, u shpreh ai.

Një pjesë e masave do të vazhdojë edhe për dy javët e ardhshme, pra deri më datën 26 shtator, kurse një pjesë do të shtohen ashtu siç kemi paralajmëruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA