Fitorja 3-5 e Vllaznisë në fushën e Laçit, ku u thye një tabu shumëvjeçare, konfirmoi ekipin shkodran ekip pretendent. Trajneri Thomas Brdaric, në intervistën pas ndeshjes, deklaroi:

“Nuk kemi ardhur për rekorde, por për të bërë lojën tonë, ne bëjmë lojë sulmuese, por në mbrojtje nuk ishim mirë. Gjithsesi, fitorja është fitore. Golat e sulmuesve? Ne duam të përmirësohemi në çdo moment.”

Objektivat e Vllaznisë: “Kjo ishte ndeshja e pare jona dhe nuk mund të themi si do të shkojë sezoni. Ishte diçka mbresëlënëse dhe do të vazhdojmë të punojmë fort. Në futboll duhet të mësohesh me humbjet. Folëm me lojtarët dhe u thamë të luajmë deri në fund dhe jo të dorëzohemi pas vetëm një ore.”

Disfata në Superkupë: “Ndeshja e Superkupës ishte thjesht përgatitëse. Fitimi i Superkupës nuk ishte qëllimi ynë i madh, sepse kemi të tjera objektiva në këtë sezon. Sot ishte qëllim fitorja dhe në fund ia arritëm qëllimit. Ne që jemi në këtë klub e dimë shumë mirë se bëhet një punë e madhe.”

Luhatjet: “Duhet të eliminojmë “fikjet” gjatë ndeshjes. Deri në golin e dytë po bënim gjërat shumë mirë. Lojtarët duhet të kuptojnë përgjegjësinë që kanë, sepse u falëm disa raste shumë të mira Laçit dhe për këtë do të flas me lojtarët në mbledhjen e radhës.”

Ndryshimet në skuadër: “Kemi punuar për këto ndryshime që i kemi bërë skuadrës. Përmirësimi ndonjëherë kërkon ndryshime në skuadër. Por lojtarët duhet të kuptojnë mënyrën e lojës dhe punës sonë. Çdo gjë do vijë me kalimin e kohës.”

Top Channel