Urdhri i ri i Presidentit Joe Biden për vaksinim të detyrueshëm kundër COVID-19, ka bërë që guvernatorët republikanë që kërcënojnë me padi. Një qëndrim që zoti Biden e ka cilësuar si zhgënjyes.
Administrata po përgatitet për një përplasje tjetër të madhe mes pushtetit federal dhe atij shtetëror. Por ndërsa shumë detaje rreth udhëzimeve të reja mbeten ende të panjohura, Presidenti Biden duket se gëzon një bazë të fortë ligjore për të nxjerrë një urdhër të tillë në emër të garantimit të sigurisë për shëndetin e punonjësve, sipas disa ekspertëve të intervistuar nga agjencia “Associated Press”.
“Ata (administrata) janë në një pozitë mjaft të fortë duke pasur parasysh provat që sugjerojnë fuqimisht shkallën e rrezikut që individët e pavaksinuar paraqesin, jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të tjerët”, thotë profesori i Drejtësisë në Universitetin e Konektikatit, Sachin Pandya.
Republikanët denoncuan me shpejtësi vendimin për imunizim të detyruar që mund të ndikojë tek 100 milionë amerikanë. Ata thanë se do të ngrenë padi kundër këtij vendimi gjë mund ta bëjnë edhe ato kompani private që zgjedhin t’i rezistojnë kërkesave për imunizim.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott e quajti vendimin një “sulm ndaj bizneseve private”, ndërsa Guvernatori i Karolinës së Jugut Henry McMaster premtoi se “do të përpiqet deri në fund për të mbrojtur lirinë dhe mënyrën e jetesës” së çdo banori të shtetit të tij. Komiteti Kombëtar Republikan ka thënë gjithashtu se do të padisë administratën “për të mbrojtur amerikanët dhe liritë e tyre”.
Rastet e tilla mund të paraqesin një përplasje tjetër mes autoriteteve shtetërore dhe federale në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë i Presidentit Biden tashmë po padit Teksasin për ligjin e tij të ri shtetëror që ndalon shumicën e aborteve, duke argumentuar se ai u miratua “në kundërshtim të hapur me Kushtetutën”.
Shtëpia e Bardhë po përgatitet për sfida ligjore dhe beson se edhe nëse humbet disa prej çështjeve, miliona amerikanë do të marrin doza për shkak të kërkesave të reja, duke shpëtuar jetë dhe parandaluar përhapjen e virusit.
Presidenti Biden i ka kërkuar Administratës së Sigurisë dhe Shëndetit në Punë të mbikëqyrë respektimin e urdhrit. Jeffrey Zients, koordinatori i përgjigjes ndaj koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë paralajmëroi se “nëse një kompani refuzon të ndjekë standardin, gjobat mund të jenë mjaft domethënëse”.
Gjykatat kanë mbështetur kërkesat për vaksinim si kusht për punësim, si para pandemisë ashtu edhe pas, në sfidat e ngritura nga punonjësit e kujdesit shëndetësor, thotë Lindsay Wiley, drejtoreshë e Programit për Ligjin dhe Politikën e Shëndetit në Universitetin Amerikan në Washington.
Ajo thotë se udhëzimet e zotit Biden mbi vaksinat mund të jenë më të hapura për padi rreth asaj nëse administrata ndoqi procesin e duhur për t’i zbatuar ato.
Vaksinimi “është politizuar dhe ka shumë gjykatës republikanë të cilët mund të jenë armiqësorë ndaj urdhrit, për arsye politike”, thotë Michael Harper, një profesor në Universitetin e Bostonit.
Sipas rregullave të reja të gjitha kompanitë me më shumë se 100 punonjës t’u kërkojnë atyre që të vaksinohen ose të testohen për virusin çdo javë. Presidenti Biden ka kërkuar gjithashtu vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit e degës ekzekutive dhe kontraktorët që bëjnë biznes me qeverinë federale, por pa i ofruar si mundësi testimin e përjavshëm.
Top Channel