Rama pret në takim Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite: Kjo vizitë, një shenjë për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë

11/09/2021 12:09

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për media së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princin Faisal Bin Farhan Al Saud.

Marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite janë vendosur më 02 dhjetor 1992 dhe kjo është vizita e parë e një ministri të jashtëm saudit në vendin tonë.

Ndër vite Arabia Saudite është ofruar dhe ka kontribuar në financimin e projektit të rrugës Durrës-Morinë dhe Tiranë-Elbasan, si dhe nëpërmjet Fondit Saudit të Zhvillimit një sërë projektesh të tjera në Shqipëri.

Kryeministri u shpreh shpresëplotë se kjo vizitë të jetë hapja e kapitullit të bashkëpunimit mes dy palëve. Rama u shpreh tejet optimist në zhvillimin e marrëdhënieve të dy vendeve në bashkëpunimin ekonomik.

Gjatë muajit shkurt 2019, Kryeministri i Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite ku pati një takim me Mbretin Salman bin Abdulaziz Al Saud, takim ky i kurorëzuar me ratifikimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme dhe memorandumeve mirëkuptimi mes dy vendeve.

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama:

Kemi kënaqësinë të kemi në Tiranë, një mik të veçantë, Princin Faisal bin Farhan, ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, i cili viziton për herë të parë vendin tonë dhe ka ardhur drejtpërdrejtë nga Riad, për t’u rikthyer në Riad, vetëm për të rivënë kontaktet e drejtpërdrejta dhe për të ristartuar një proces bashkëpunimi të thelluar, për të cilin kemi vendosur piketat më pare, gjatë vizitës sime në Rihad dhe në takimin me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

Së pari dua t’i shpreh mirënjohjen Princit Faisal për gjithë përkushtimin në vazhdim që ai ka treguar për këtë marrëdhënie mes dy vendeve tona. Në fakt ka qenë ai që e ka mbajtur gjallë bashkëpunimin dhe komunikimin në kushtet, kur për shkak të pandemisë, kontaktet u vështirësuan jashtëzakonisht shumë dhe faktikisht, të gjitha shkëmbimet e planifikuara u paralizuan.

Kjo vizitë është një shenjë e drejtpërdrejtë që gatishmëria dhe dëshira e miqve tanë sauditë për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë është e madhe. Ndërkohë që sëbashku e ndamë edhe kënaqësinë që numri i vizitorëve nga Arabia Saudite si turistë në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme, edhe falë vendosjes së linjave direkte me Lindjen e Mesme, por edhe falë pikërisht nxitjes që vetë Princi i Kurorës dhe qeveria saudite i ka bërë kësaj marrëdhënieje.

Ne jemi shumë shpresëplotë që kjo vizitë e parë është vetëm hapja e një kapitulli vizitash dhe takimesh bilaterale.

Sot, unë ia ripërsërita ministrit ftesën për të pritur këtu, Princin e Kurorës dhe sigurisht, kjo lidhet me gjithë regjimin e lëvizjeve të Princit në kushtet kur vigjilenca ndaj rrezikut të COVID-it është e lartë. E po ashtu, e falënderova Princin Farhan, por përmes tij edhe Princin e Kurorës, edhe vetë Madhërinë e tij në Arabinë Saudite për ndihmën e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë, sidomos në momentet e vështira, sidomos kur ka qenë fjala për të qenë pranë nesh dhe pranë atyre më në nevojë. Nga ana tjetër, besoj që tanimë jemi në kushtet kur realisht mund të shohim me optimizëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona, mundësitë e investimeve, mundësitë e rritjes së volumit tregtar mes dy vendeve, mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në tërësi.

Ramë dakord me Princin Faisal për të mbledhur sa më parë Komitetin e Përbashkët, i cili u mblodh në 2019-ën, por pastaj u bllokua për shkak të pandemisë, pikërisht për të adresuar prioritetet në funksion të thellimit të bashkëpunimit ekonomik.

Nga ana tjetër ndamë edhe disa ide, sikundër dhe disa informacione, ndër të cilat dëgjuam edhe për nismën madhështore të Arabisë Saudite për rritjen e përmasës së gjelbër të gjithë Lindjes së Mesme dhe për një kontribut edhe në shkallë globale përmes projektit të mbjelljes së 50 miliardë pemëve. Sigurisht që ne do të ishim shumë të lumtur që të ishim pjesë e kësaj nisme, pavarësisht numrit të pemëve dhe sigurisht, në funksion të një axhende të përbashkët të të gjithë aleancës së vendeve për të përballuar sfidën e madhe të mjedisit dhe të ngrohjes globale.

E fundit, por jo për nga rëndësia, dua ta ritheksoj që Arabia Saudite e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka qenë një nga mbështetëset e rëndësishme në të gjitha përpjekjet tona të kandidaturës së Kosovës në institucione të ndryshme ndërkombëtarë. Patjetër që zëri i Arabisë Saudite është një zë me shumë peshë dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Princin Faisal, i cili jemi vërtetë me fat që është sot në krye të punëve të jashtme të Mbretërisë Saudite për shkak të njohjes së thellë e të ndjeshmërisë së posaçme që ka për rajonin tonë.
Do bashkëpunojmë në mënyrë që të rrisim ndjeshmërinë dhe të rrisim edhe qartësinë e atyre vendeve të organizatës së bashkëpunimit islam e të Lgës Arabe që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Dua ta falënderoj me gjithë zemër ministrin e Jashtëm dhe mikun tonë, edhe për angazhimin e tij për t’i dhënë një shtysë të rëndësishme rritjes së komunikimit mes kompanive dhe për të krijuar një hapësirë ndërveprimi në sektorin privat, në funksion të interesave të ndërsjellta për të rritur investimet dhe volumin tregtar mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite.

Shumë faleminderit edhe një herë dhe me shumë kënaqësi po ju kaloj fjalën.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel