Monaco bie 0-2 në shtëpi përballë Marsejës, duke bërë një tjetër hap fals. Skuadra e Sampaolit mori maksimumin në Principatë, duke dominuar takimin nga fillimi deri në fund, pa e vendosur në asnjë moment në diskutim suksesin e radhës.

Mes mungesave, të dyja skuadrat u paraqitën në fushën e lojës me shumë ndryshime, por menjëherë Marseja tregoi forcën, duke kërcënuar portën e Nubel me Dieng në minutën e 13-të, por ishte i pafat, me topin që u ndal në shtyllë.

Gjashtë minuta më pas Bem Yedder mund të shënonte nëse do të tregohej më i “gjallë” në zonën e Pau Lopez, ndërsa kërcënimi i radhës për Marsejën erdhi sërish nga Dieng në të 19-tën minutë, me senegalezin që këtë herë u ndal nga shtylla e djathë. Kur kronometri shënonte minutën e 37-të, Dieng shfrytëzoi në maksimum shpejtësinë e tij për të shkundur rrjetën e Nubel e Monaco.

Në fraksionin e dytë Kovac freskoi skuadrën me Aguilar, por edhe kjo lëvizje nuk mjaftoi, pasi nuk solli asnjë ndryshim te vendasit dhe në tërësinë e ndeshjes. Pas 1 ore lojë, Bamba Dieng dyfishoi rezultatin dhe pas këtij momenti sfida nuk kishte më histori. Të dy trajnerët kryen zëvendësime të shumta, por për Monacon ishte shumë e vështirë për të bërë diçka përballë një Marseje të mobilizuar mjaft mirë në mbrojtje dhe tepër perfekte. Me kalimin e minutave, marsejezët thjesht menduan për të administruar takimin, ndërsa Monaco mbylli ndeshjen me zero goditje në portën e Pau Lopez, i cili qëndroi si spektator përgjatë 90 minutave.

Monaco qëndron përsëri në kuotën e 4 pikëve pas 5 takimeve, duke marrë kështu humbjen e tretë sezonale. Marseja dhe Sampaoli ecin me hapa të vegjël por të sigurt, duke shkuar në kuotën e 10 pikëve dhe me një ndeshje më pak në renditje.

Top Channel