Për të parën herë pas 7 muajsh, presidenti amerikan Joe Biden dhe ai kinez, Xi Jingping kanë zhvilluar një bisedë telefonike mes tyre, pikërisht në kohën kur tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar, sidomos për shkak të Tajvanit.
Në telefonatën 90 minutëshe, Biden paralajmëroi kundër keqkuptimeve që sic tha ai, mund të çojnë drejt një konfrontimi mes Washingtonit dhe Pekinit. Xi nga ana e tij kërkoi që marrëdhënia mes dy vendeve, e pllakosur nga “vështirësi serioze”, të marrë një drejtim të ri.
Ndonëse nxit multilateralizmin dhe fundin e ideologjisë së Donald Trumpit “Amerika e para”, administrata e Bidenit nuk i ka hequr tarifat tregtare ndaj Kinës dhe ka vazhduar një mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Pekinit në disa fusha si të drejtat e njeriut apo siguria kibernetike.
SHBA-ja kritikon Kinën edhe për mungesë transparence sa i përket origjinës së koronavirusit, për çështjet që lidhen me Tajvanin dhe për mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore.
Mesazhi i shefit të Shtëpisë së Bardhë ishte se Shtetet e Bashkuara duan të sigurohen se “nuk do të gjenden në të ardhmen në një situatë të paqëllimshme konflikti”.
Top Channel