Në prani të Kryeministrit Edi Rama, nisi sot punën, Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, një skuadër e re me ekspertë të nivelit më të lartë ndërkombëtarë, shqiptarë të cilët spikasin në botën akademike jashtë vendit, si edhe të huaj që mishërojnë kriteret më të larta të botës akademike.
“Bordi i ri është i përbërë nga një numër harmonik ekspertësh të nivelit më të lartë shqiptar dhe të huaj, që shkëlqejnë në karrierën e tyre akademike në vende të ndryshme të botës. Unë u jam sinqerisht mirënjohës të gjithëve për gatishmërinë dhe disponimin e pakursyer që na japin një dorë në këtë proces”, u shpreh Kryeministri në nisje të takimit.
Kryeministri Rama risolli në vëmendje disa nga problematikat që kishin çuar pothuajse në kolaps Arsimin e Lartë dhe që u adresuan me sukses nga reforma në Arsimin e Lartë dhe përpjekjet e bëra nga Bordi i parë i Akreditimit.
“Ne vijmë nga një rrugë shumë e përpjetë dhe vetëm pak vite më parë na u desh të përballeshim në një situatë ku rrjeti i universiteteve tona ishte një rrjet i shthurur dhe i thurur sipas gjithë orekseve politike dhe jashtë standardeve. Procesi i akreditimit ishte një proces krejtësisht subjektiv, joprofesional, politik, si rezultat i të cilit, ne u gjendem me dhjetëra universitete krejtësisht jashtë kushteve për t’u konsideruar vatra të besueshme dijeje dhe u detyruam të mbyllim plot prej tyre.
Rekordet që ne kemi arritur në të kundërtën janë vërtetë mbresëlënëse, p.sh. duke patur një akreditim opsional midis 60 universiteteve të vitit 2013, shumica nuk ishin të akredituara dhe një pjese e tyre nuk kishin asnjë plan pune dhe asnjë përgatitje për t’u futur në proces akreditimi. Nga ana tjetër, ne u gjendëm me 8 herë më shumë universitete sesa Britania e Madhe për numër banorësh. Arritëm të kemi 1432 programe të ndryshme mësimore, a thua se i kishim dhe i kemi mundësitë që ne të përgatisim vajzat dhe djemtë e këtij vendi për 1432 profesione dhe nën profesione.
Një tjetër rekord ishte ai i 50 programeve studimore në universitetet tona ku nota mesatare e të regjistruarve ishte 5.5. Për miqtë e huaj që janë këtu të pranishëm mbase duhet shtuar që 5 është nota minimale kaluese. Disa prej këtyre programeve ishin programet që nxirrnin mësuesit dhe pedagogët e ardhshëm, por edhe drejtues të bordeve të natyrave të ndryshme të sistemit të vetëm para pak viteve.
Janë dhënë një rekord diplomash, afro 1 mijë diploma për të huaj që nuk njihnin gjuhën shqipe dhe që prezumojnë se kishin studiuar në një universitet me programe shqip, ndërkohë që asnjë nga universitetet në fjalë, nuk kishte asnjë program në gjuhë të huaj.
Janë dhënë diploma nga universitetet private në formë shkëmbimi në natyrë, ku studentët nuk paguanin universitetin, por regjistronin shërbime si lyerje, larje, punime hidraulike, punime zdrukthëtarie dhe punime të tjera në funksion të pronarëve të universiteteve, qoftë për infrastrukturën e universitetit, qoftë për shtëpinë e parë apo të dytë të pronarit dhe pjesë e pagesës, – e këto janë gjëra të regjistruara, – për të hyrë në universitet dhe për të marrë diplomën ishte dhe dhënia e lopëve, e deleve, e orizit, e fasuleve, e zhavorrit, e druve të zjarrit.
Studentë, që nuk hynin dot në universitetet publike, që vinin nga familje relativisht të varfra, që nuk kishin mundësi të paguanin tarifat e që ofronin për pronarët çfarë të kishin mundësi si lëndë të para. Ka pasur regjistra themeltarë universitetesh dhe këtu flasim për vitin 2013, nuk flasim për vitin 1913, ku përshkruhej se X diploma janë tërhequr nga shefi e nuk dihet se kush i ka marrë, por i ka marrë shefi dhe i ka shpërndarë. Pra, diplomat ishin dhe indulgjenca që u jepeshin personave që nuk kishin ardhur asnjë ditë në universitet.
Për të mos hyrë më tutje, sepse këtu pastaj hyjmë në një terren ku problemi është adresuar, por nuk është zgjidhur ende, i disbalancave të programeve që ka bërë që Shqipëria të trashëgojë numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë. Në çdo kilometër katror në Shqipëri mund të gjesh më shumë juristë se sa në çdo pjesë tjetër të botës.
U krijua faktikisht një sistem i blerjes së qetësisë nga ana e qeverive, në raport me nevojën e të rinjve për punë, duke ju hapur të gjithëve dyert e duke i ofruar të gjithëve një arsimimin të lartë të pagarantuar në cilësinë e vet dhe u ble kohë dhe qetësi, për të thënë që i kemi të gjithë nëpër universitete, nuk kemi arsye të shqetësohemi dhe ata nuk kanë arsye të shqetësohen dhe mundohen për të kërkuar punë, sepse po bëhen juristë, ekonomistë e kështu me radhë.”
Ndërhyrja, – theksoi Kryeministri, ishte një kthesë shumë e fortë dhe sot, çdo universitet, publik apo privat, që të mund të operojë, do duhet të akreditohet, duhet të ofrojë cilësi për kurrikulat, stafin, kërkimin shkencor.
“Akreditimi i universiteteve nisi falë një bashkëpunimi që ka qenë kyç me Agjencinë britanike të Akreditimit, prania e të cilës i ka dhënë një besueshmëri dhe ka qenë dhe një sfidë për vetë universitetet. Akreditimi është natyrisht një punë në vijim e në këtë drejtim ka shërbyer edhe përpjekja për të pasur sondazhe kombëtare të studentëve, për të lexuar më mirë situatën.”
Duke njohur arritjet e deritanishme, Kryeministri pohoi se problematikat në Arsimin e Lartë, sot janë realisht serioze dhe sfida më e madhe për qeverinë është si mund të arrihet t’u jepet të rinjve mundësia e studimit në universitetet më të mira ndërkombëtare pa u larguar nga Shqipëria.
“Unë do dëshiroja që të isha shumë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë me ju, për të mos krijuar idenë që kontrasti i madh mes situatës së 2013-ës dhe situatës së sotme është një arsye që ne si qeveri e konsiderojmë një arsye për të qenë të lumtur apo të kënaqur me punën tonë. Ne nuk jemi aspak të lumtur e të kënaqur dhe situata e sotme e universiteteve nuk është aspak një situatë që na jep mundësinë të flemë të qetë, megjithëse besoj që asnjë qeveri e përgjegjshme, kushdo qoftë dhe në vendet më të zhvilluara, nuk mund të flejë dot e qetë, kur vjen puna tek niveli i shkollimit dhe i edukimit Problematikat, sot janë realisht serioze dhe sfida më e madhe për ne si qeveri është si mund të arrijmë t’u japim vajzave dhe djemve që studiojnë këtu në shkollën e mesme e që mbarojnë me rezultate të shkëlqyera, një zgjedhje alternative me zgjedhjen për të ikur jashtë. Absolutisht, ne nuk mund e nuk kemi arsye të mendojmë se duhet të frenojmë shkuarjen e të rinjve në universitetet me prestigjioze, por fakti që midis tyre janë plot ata që largohen drejt universiteteve të huaja, jo domosdoshmërisht ato më prestigjiozet në shumë raste, për shkak se këtu alternativa është larg së qeni tërheqëse, është një fakt që ne na bën të jemi kokulur sot, në raport me ku duhet të jetë sistemi i Arsimit të Lartë.
Krenaria për çka kemi bërë, për të vendosur një bazë, nuk është një ngushëllim, për të mos parë në sy situatën e vështirë me të cilën ne duhet të përballemi me sukses. Prandaj jam shumë mirënjohës për praninë tuaj e për gatishmërinë tuaj, sepse, nëse për ata që janë shqiptare këtu, kjo mund të jetë një angazhim më i lehtë nga pikëpamja e ndjenjës së kontributit, për të gjithë të tjerët, ky është më shumë se kaq e për të gjithë ju sëbashku, angazhimi në këtë Bord është një sens misioni për të ndihmuar që Arsimi i Lartë në Shqipëri të shkojë më përpara.
Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë mbledhje të Bordit të Akreditimit e nuk do marrë pjesë në asnjë mbledhje tjetër. Bordi i Akreditimit është i pavarur dhe duhet të jetë i tillë. Ne jemi këtu për të garantuar me mos ndërhyrjen tonë, por dhe me mbështetjen tonë për vendimet e Bordit, integritetin e punës tuaj. Nga ana tjetër, ne jemi këtu për të shfrytëzuar maksimalisht dijet dhe eksperiencat tuaja e qoftë për të përfituar nga vendimet e drejta që do të merrni, qoftë për të mësuar përtej procedurës së brendshme burokratike të vendimeve, nga eksperienca juaj. Deri këtu është marrëdhënia jonë me të gjithë ju.
Të jeni të sigurt që ajo që ne presim nga Bordi është integritet maksimal në vendimmarrje dhe pavarësisht se kush cenohet në interesat e veta në sistemin tonë akademik, sepse përndryshe çdo vendimmarrje pa integritet cenon mijëra e mijëra të rinj e prindër dhe cenon të ardhmen e vendit. Duke ju uruar vërtetë që me të njëjtën dëshirë që ju paraqitët disponibilitetin tuaj, të vazhdoni të bëni punën pa u lodhur e pa u mërzitur e të keni energjinë dhe angazhimin që ta çoni këtë punë përpara, duke ndërvepruar me njëri-tjetrin e duk ju lutur e kjo është lutje që secili dhe secila prej jush që përtej angazhimit e përtej detyrës brenda kornizës së Bordit, ka gjëra që mendon se ia vlejnë për të ndarë me ne, për të na ndihmuar ne, për të na këshilluar, për të na orientuar se si mund të atakojmë një problem apo një tjetër, ta bëni këtë gjë. Për këtë, ne do kishim mirënjohjen më të madhe.”
Top Channel