Ish-presidenti kërkon falje për arratisjen nga Afganistani. Çfarë ndodhi me 169 milionë dollarët?

10/09/2021 03:36

“Nuk bëja dot ndryshe”, me këto fjalë iu drejtua afganëve në apologjinë e tij ish presidenti Ashraf Ghani, i cili e braktisi vendin në momentin që talebanët hynë në Kabul, duke e lënë në mëshirën e tyre, pa bërë as rezistencën më të vogël.

Ghani thotë tani se ai ishte vendimi më i vështirë që ka marrë në jetë. Ish kreu i shtetit përsëriti se e la vendin me qëllimin të shmangte gjakderdhjen e luftimet nëpër rrugë dhe mohoi të ketë vjedhur miliona dollar nga thesari i shtetit. “ U largova që të shpëtojë Kabulin dhe 6 milionë qytetarë”, ka shkruar ai në Twitter.

Duke kujtuar luftimet e tmerrshme nëpër rrugë që pllakosën kryeqytetin gjate luftës civile të viteve 1990, Ghani tha se “ nuk kishte qenë kurrë qëllimi i tij që të braktiste njerëzit”. 72-vjeçari tha se kishte punuar për 20 vjet për të krijuar një qeveri demokratike në Afganistan, por pranoi se nuk kishte arritur të siguronte “stabilitet dhe begati”, i njëjti rezultat që kanë prodhuar qeveritë e tjera afgane për dekada të tëra.

Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se e mirëpritën atë “nën baza humanitare”. Zoti Ghani tha se në një “të ardhme te afërt”, do të ofronte një shpjegim më të detajuar për largimin e tij të papritur më 15 gusht, duke shtuar se “aktualisht i duhej t’u përgjigjej akuzave të pabaza se kur ishte larguar nga Kabuli, kishte marrë me vete miliona dollarë që i përkisnin popullit afgan”, sikurse tha ai.

Agjencia ruse e lajmeve RIA raportoi se zoti Ghani u largua nga Kabuli me katër makina dhe një helikopter plot me para dhe se i ishte dashur të linte ca para, pasi nuk kishte pasur vend ku t’i fuste.

Agjenci të tjera lajmesh kanë njoftuar se ai dyshohet të ketë marrë 169 milionë dollarë nga arkat e shtetit, një akuzë e ngritur gjithashtu edhe nga Ambasadori i Afganistanit në Taxhikistan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA