Novak Djokovic është vetëm dy fitore larg triumfit në US Open për të kompletuar pokerin e Slam-eve në një sezon fantastik për të dhe për t’u shndërruar në më të mirin e të gjithë historisë së tenisit botëror.

Nole bëri detyrën edhe në çerekfinalen e Grand-Slamit nju-jorkez ndaj italianit Mateo Berrettini të cilin e mposhti në 4 sete. Në mënyrë identike si në finalen e Wimbledon edhe këtë herë Berettini fitoi vetëm setin e parë ndaj numrit 1 të botës sepse më pas sfida foli e gjitha për Nolen.

Në setin e parë italiani arriti t’i merrte shërbimin serbit pikërisht në game e 11-të për ta fituar me shifrat 5-7, por më pas Djokovic ishte thjeshtë monstruoz duke humbur në total vetëm 7 game për suksesin 3-1 me sete me shifrat 5-7 6-2 6-2 6-3 në një ndeshje që zgjati tre orë e gjysmë. Në gjysmëfinale Djokovic do të masë forcat me gjermanin Alexander Zverev.

Numri 4 i botës mposhti lehtësisht në 3-0 afrikano-jugorin Harris me shifrat 7-6 6-3 6-4. Gjysmëfinalja tjetër e US Open për meshkuj do të diskutohet mes kanadezit Auger-Aliassime dhe rusit Danil Medvedev. Në kategorinë e femrave surprizën e mbrëmjes e dhuroi grekja Sakkari që mposhti në dy sete numrin 4 të botës çeken Karolina Pliskova duke avancuar në gjysmëfinale, ndërkohë i habiti të gjithë britanikja Raducanu e cila edhe pse mban numrin 150 në botë mposhti në dy sete zviceranen Bencic.

Top Channel