Pas golit vendimtar që realizoi në fitoren minimale ndaj Hungarisë të dielën, sukses që rindezi shpresat e kombëtares shqiptare për një vend në fazën play-off të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022 për zonën europiane, Armando Broja u bë protagonist edhe në duelin ndaj San Marinos.

Edy Reja e hodhi sërish në fushë në pjesën e dytë por këtë herë i dha më shumë minuta duke e aktivizuar në minutën 46-të me sulmuesin e Southampton në Premier League që ja shpërbleu besimin.

Me një gol dhe dy asiste Broja ishte thjeshtë fantastik në fitoren 5-0 ndaj modestëve të San Marinos teksa në vetëm një pjesë loje i dha një tjetër spunto sulmit kuqezi duke rritur forcën dhe cilësinë. 19-vjeçari është vlerësuar nga SofaScore me notën 9.3 për paraqitjen ndaj San Marinos duke u bërë kështu lojtari që merr vlerësimin më të lartë nga faqja prestigjoze në të martën e kualifikueseve të Botërorit Katar 2022 për zonën europiane.

Një vlerësim shumë i lartë edhe për faktin se Broja u tregua shumë altruist sidomos në rastin e golit të 5-të të realizuar nga Myrto Uzuni. Shtatlarti i talentuar kishte edhe një përqindje të frikshme përsa i përket pasimeve me 88% saktësi. Me nota të mira nga Sofascore u vlerësuan edhe dy kuqezinj të tjerët mesfushorët Keidi Bare dhe Qazim Laçi, lojtari i Espanyolit me notën 8,2 ndërsa Laçi i cili realizoi edhe golin e dytë të kuqezinjëve në ndeshjen ndaj San Marinos me notën 8.1.

Top Channel