Biden urdhër për vaksinim të detyrueshëm për të luftuar COVID-19

10/09/2021 22:46

Ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me përhapjen e variantit shumë ngjitës Delta, Presidenti Joe Biden shpalli urdhrin e ri për vaksinimin e detyrueshëm në kuadër të një plani të gjerë për t’i dhënë fund pandemisë.

Për çdo javë varianti Delta vazhdon të vrasë mijëra amerikanë dhe të stërngarkojë spitalet.

Si pjesë e përpjekjeve të reja për t’i dhënë fund pandemisë, Presidenti Joe Biden miratoi të enjten një urdhër të ri, që detyron punonjësit e kompanive të mëdha, stafin e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit federalë të vaksinohen.

“Departamenti i Punës po harton një rregull urgjence që u kërkon të gjithë punëdhënësve me 100 ose më shumë punonjës, që së bashku punësojnë mbi 80 milionë vetë, të sigurohen se fuqia e tyre punëtore është plotësisht e vaksinuar, ose të paraqesin një test negativ, të paktën një herë në javë”, tha Presidenti Biden.

Kjo është shtysa më e fuqishme e Presidentit për të nxitur vaksinimin e amerikanëve, me gjoba deri në 14 mijë dollarë për punëdhënësit që nuk respektojnë rregullin. Epidemiologët mbështesin vendimin.

“Ne kemi qenë në luftë kundër COVID dhe deri tani, kemi pasur një ushtri vullnetare me njerëzit që vullnetarisht janë vaksinuar. Por me ardhjen e Deltës, armiku është forcuar. Pra tani duhet të veprojmë për të vaksinuar të gjithë”, tha Dr. William Schaffner.

Sipas Shtëpisë së Bardhë plani i zotit Biden për pandeminë prek të paktën 100 milionë amerikanë. Por disa thonë se vaksinimi i detyruar sjell përçarje dhe është antikueshtetues.

“Biden ua bëri të qartë punonjësve amerikanë dhe pronarëve të bizneseve se është armiku kryesor i tyre”, tha Peter Vicenzi nga organizata FreedomWorks.

Në planin e zotit Biden parashihet mbajtja hapur e shkollave, shtimi i testimeve dhe detyrimi për mbajtjen e maskave, mbrojtja e rimëkëmbjes ekonomike, përmirësimi i kujdesit ndaj pacientëve me COVID-19 dhe sigurimi i dozave përforcuese të vaksinës në përputhje me udhëzimet nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Kemi blerë doza të mjatueshme përforcuese, ndërsa sistemi i shpërndarjes është gati për administrimin e tyre. Sapo të autorizohen, ata që kualifikohen mund t’i marrrin menjëherë ato”, tha Presidenti Biden.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve të pasura që dozat përforcuese të mos përdoren deri në fund të vitit të tjetër

Shtëpia e Bardhë tha se mund t’i bëjë të dyja – të sigurojë doza përforcuese në ShBA dhe njëkohësisht të ndihmojë vaksinimin në botë.

“Pyetja nuk është nëse ShBA mund t’i bëjë të dyja, por a duhet t’i bëjë të dyja. Sepse ka një kompromis. Për çdo person që vaksinohet në ShBA ose merr një dozë përforcuese, një person diku tjetër nuk do të marrë dozën e tij të parë ose të dytë”, tha Jenny Ottenhoff nga organizata “One Campaign”.

Presidenti Biden tha se ShBA ka dhuruar 140 milionë doza vaksinash në mbi 90 vende.

Muajin e ardhshëm ai do të njoftojë planet e reja për të ndihmuar vaksinimin në botë./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA