Zgjerimi në vendnumëro, liderët e BE-së: Samite të reja, premtime të vjetra!

09/09/2021 14:38

Udhëheqësit e BE -së po planifikojnë të përsërisin premtimet e vjetra për shtetet e Ballkanit Perëndimor në një samit të ardhshëm, por zgjerimi për momentin është në vendnumëro.

“BE riafirmon mbështetjen e saj të qartë për perspektivën europiane të rajonit, cka është në interesin tonë strategjik të ndërsjellë dhe mbetet zgjedhja jonë e përbashkët strategjike“,  planifikon blloku të pohojë në Brdo të Sllovenisë, sipas draftit të përfunduar në duart e EUobserver.

Aty flitet për të çuar përpara “transformimin politik, ekonomik dhe social të Ballkanit Perëndimor, i cili, siç theksohet në deklaratë, duhet të punojë së bashku me BE-në për t’u përballur me detyrat përcaktuese të brezave.

Deklarata do të nënshkruhet nga 27 liderët e bllokut dhe 6 udhëheqësit e vendeve të rajonit në atë që presidenca sllovene e BE -së e sheh si zhvillimin kryesor të saj në raport me zgjerimin.

Po kështu, propozohet “mbajtja e samiteve BE-Ballkani Perëndimor si evente  të rregullta“, deri në fundin e vitit 2022. Por, përkundër tifozërisë, pak njerëz presin që diçka të lëvizë vërtet këtë vit në pengesat kryesore të progresit.

“Elefanti në dhomën në Brdo do të jetë vetoja e Bullgarisë për hapjen e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në artikull, që po mban edhe Shqipërinë. Përpara zgjedhjeve bullgare, Sofia zor të hedhë ndonjë hap drejt rrëzimit të saj.

“Sinqerisht, ne nuk presim asnjë vendim për veton e Bullgarisë  para samitit. Për shkak të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në ate vend, nuk ka shumë kohë për negociata“, ka pohuar një diplomat i BE.

Top Channel