Franca i jep qytetarinë 12,000 punonjësve të frontit të përballjes kundër pandemisë (fotot)

09/09/2021 18:16
Ministrja e qytetarise Marlène Schiappa

Skena e përshpejtuar përfshinte ata, detyra e të cilëve i rrezikonte nga pandemia.

Franca i ka dhënë zyrtarisht qytetarinë më shumë se 12,000 punonjësve të linjës së parë të luftës kundër Covid-19, të cilët prej detyrës së tyre u rrezikuan nga sëmundja.

Përveç përshpejtimit të procesit të aplikimit, që normalisht kërkon deri në dy vjet, qeveria ka reduktuar kriteret për rezidencën nga pesë vjet në dy.

“Punonjësit e linjës së parë iu përgjigjën thirrjes së kombit, kështu që është e drejtë që kombi të bëjë një hap drejt tyre”, tha sot ministrja franceze e qytetarisë Marlène Schiappa. “Vendi ynë e kaloi këtë falë tyre”.

“Unë mirëpres bashkëatdhetarët tanë të rinj dhe i falenderoj në emër të Republikës”, shtoi ajo.

Në shtator 2020, ministria e brendshme kishte ftuar ata që “kishin kontribuar në mënyrë aktive” në luftën kundër krizës shëndetësore të Covid-19, të aplikonin për procesin e përshpejtuar të natyralizimit. Sot Schiappa tha se 16,381 kishin aplikuar, dhe deri tani 12,012 aplikime ishin aprovuar.

Mes tyre ishin profesionistë të shëndetësisë, punonjës sigurie dhe pastrimi, ata që ishin kujdesur për fëmijët e punonjësve të linjës së parë të frontit, mbledhës mbeturinash dhe disa kategori të tjera, tha ministrja.

Mes tyre, e përditshmja The Guardian përmendte një britanik, John Spacey, që kishte marrë qytetarinë franceze si person që “provoi përkushtimin e tij ndaj Republikës”.

Spacey punon në një organizatë që kujdeset për të moshuarit dhe tha se oferta e qytetarisë është një “nderim i madh”.

Në prill 2020, të gjithë punonjësve francezë të shëndetësisë dhe shtëpive të kujdesit, iu ofruan shpërblime prej €1,000 deri në €1,500 si falenderim nga qeveria për punën gjatë krizës.

Ndërsa në gusht 2020, 320,000 punonjësit e shtëpive të të moshuarve në Francë iu dhanë bonuse prej deri në €1,000.

FOTO GALERI
1/3
Skena e përshpejtuar përfshinte ata, detyra e të cilëve i rrezikonte nga pandemia.

Top Channel