Qazim Laçi e nisi si titullar sfidën ndaj San Marinos dhe ia doli të lërë gjurmë duke shënuar edhe golin e tij të parë me fanellën kuqezi. Në intervistën pas ndeshjes, mesfushori e pati të vështirë të shmangë emocionet e përjetuara për golin, teksa zbuloi edhe bisedën me Rejën pas ndeshjes.
Sa i kënaqur jeni që shënuat dhe çfarë menduat kur patë topin të përfundonte në rrjetë?
Emocionet janë shumë të mëdha, pasi është kënaqësi e madhe të shënoj një gol me ekipin Kombëtar. E kam ëndërruar që fëmijë. Për ne ka më shumë rëndësi 3-pikëshi, pasi ishte ndeshje serioze nga fillimi në fund dhe e vazhduam aty ku e lamë. Asgjë nuk e mendova, pasi thjesht e godita topin, pashë portierin ku ishte dhe e provova. U turbullova pak gjatë festës, pasi emocionet vijnë vetë.
Ju vjen keq që nuk keni pasur shumë minuta me Kombëtaren?
Të gjithë lojtarët jemi të kënaqur me minutat që kemi, pasi nuk është gjë e lehtë edhe për trajnerin që të bëjë zgjedhjet. Kemi shumë minuta në këmbët tona dhe është e vështirë për trajnerin që të zgjedhë. Në kombëtare të gjithë lojtarët duhet të jenë gati për të dhënë maksimumin kur ju kërkohet, në mënyrë që ekipi të ecë përpara.
Çfarë ju tha Reja pas ndeshjes?
Nuk më tha ndonjë gjë speciale, më tha bravo për golin që shënova. Bëri pak gallatë me mua, pasi ishte i kënaqur me golin që shënova.
Top Channel