Qeveria e re në Afganistan pritet me protesta/ Talebanët rrahin gratë, arrestohen edhe gazetarë

08/09/2021 18:58

Dhjetëra gra në Kabul dhe provincën verilindore të Afganistanit, Badakhshan kanë protestuar kundër formimit të qeverisë së re të përkohshme talebane, e cila në përbërje të saj kishte vetëm meshkuj.

Demonstruesit thanë se nuk do të pranonin një qeveri pa ministre gra, madje raportohet se disa prej tyre u rrahën para se të shpërndaheshin.

Organizata lokale e lajmeve ‘Etilaatroz’ tha se disa gazetarë të saj u arrestuan dhe u rrahën vetëm se raportuan nga protesta.

Në lidhje me këto zhvillime talebanët u shprehën që protesta të tilla ishin të paligjshme, sepse qytetarë më parë duhet të kishin marrë leje për të marshuar.

BE tha se grupi islamik kishte hequr dorë nga premtimet për ta bërë qeverinë e tyre “përfshirëse dhe përfaqësuese”, ndërsa SHBA gjithashtu shprehu shqetësimin se qeveria e përkohshme përfshin figura të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas një takimi virtual të 20 vendeve perëndimore të Mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se qeveria e talebanëve nuk e plotëson testin e gjithëpërfshirjes, si dhe përfshin njerëz që kanë rekorde kriminale.

Fronti Anti-Taliban i Rezistencës Kombëtare të Afganistanit (NRF) i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar të mos njohë qeverinë e re, duke e quajtur kabinetin të paligjshëm dhe një shenjë të qartë të armiqësisë së grupit me popullin afgan.

Talibanët këmbëngulin se ata tani kanë mundur Frontin Anti-Taliban në Panjshir, por nga ana tjetër udhëheqësit e këtij grupi e përgënjeshtruan këtë deklaratë duke thënë se janë ende duke luftuar.

Top Channel