Manita ndaj San Marinos, Reja: Prisja më shumë në pjesën e parë, skuadra vazhdon të rritet

08/09/2021 23:20

Trajneri Edi Reja u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e kuqezinjve ndaj San Marinos, sidomos në pjesën e dytë, teksa në intervistën për SuperSport u shpreh i bindur që ekipi mund të bëjë shumë më mirë nëse vijon të punojë me këmbëngulje e dëshirë.

Sa i kënaqur jeni me paraqitjen e skuadrës?
Prisja të bënim shumë më tepër në pjesën e parë, sidomos në aspektin e finalizimit, pasi shënuam vetëm një gol, megjithatë në pjesën e dytë ndryshuam me aktivizimin e Roshit dhe Brojës. Skuadra kishte më shumë alternativa në organizimin e manovrës sulmuese dhe u shfaq me e çliruar, ndaj shënuam edhe katër gola të tjerë, përveçse patëm edhe disa raste të mira.

Çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur vendin e dytë?
Për të mbajtur gjallë ëndrrën, duhet të bëjmë mirë në të gjithë ndeshjet e mbetura dhe të provojmë të marrim sa më shumë pikë. Gjithsesi ajo që më pëlqen është se skuadra po rritet, po funksionon mirë në fushë dhe po argëtohet duke luajtur. Më pëlqen që kam në dispozicion një grup që punon fort në stërvitje dhe kjo është shpërblyer edhe me ndeshjet e mira që kemi bërë në këtë edicion, ku natyrisht që mund të bënim më mirë vetëm në Poloni, një ndeshje që do të na djegë gjatë për mënyrën si humbëm.

Çfarë do të bëni ndryshe për ndeshjen e kthimit ndaj Polonisë?
Të them të drejtën në Varshavë bëmë një ndeshje mjaft të mirë dhe u ndëshkuam nga episodet, që për fat të keq nuk i patëm në favorin tonë, megjithatë sigurisht që mund të bëjmë shumë më mirë në sfidën e kthimit. E rëndësishme është që lojtarët të kenë formën më të mirë të mundshme, pasi nëse ndodh kjo, atëherë është e sigurt që mund të jemi shumë më tepër konkurrues ndal Polonisë.

Top Channel