Pas dy barazimeve radhazi ndaj Bullgarisë e Zvicrës, Italia është e dënuar të fitojë përballë Lituanisë në “Mapei Stadium”, për të mos komplikuar rrugëtimin drejt Katarit, ndërsa sulmuesit e “të kaltërve” kanë përfunduar në qendër të kritikave, pasi kanë shënuar shumë pak ose aspak në ndeshjet e fundit.

Trajneri Roberto Mancini do li në konferencën e zakonshme për shtyp, ku u shpreh optimist se kampionët në fuqi të Europës do të marrin maksimumin nga ndeshja ndaj lituanëve, megjithatë bëri thirrje që të mos kërkohen fajtorë për mungesën e golave.

“Nuk jam i shqetësuar, pasi golat do të vijnë, por nuk duhet të gjejmë me patjetër një fajtor. Me Immobilen nuk kam asnjë problem, por më duket sikur po e trajtoni njësoj si Balotellin dikur. Ai ishte titullar i skuadrës që fitoi Europianin dhe ndoshta mund të shënojë 8 gola në Botëror e të na ndihmojë të fitojmë edhe atje. Gëzon besimin e plotë timin dhe të skuadrës”, deklaroi Mancio.

Ndaj Lituanisë mund të luajë nga minuta e parë talenti i Sassuolos, Giacomo Raspadori, ndërsa Mancinit do t’i duhet të zëvendësojë edhe Verratin e dëmtuar dhe emri favorit për të luajtur nga minuta e parë është Stefano Sensi.

“Sensi bëri pushim të hënën për një problem fizik, por është mirë dhe mund të luajë nga minuta e parë. Besoj që mund të lëmë pushim edhe Barellën, pasi ka luajtur titullar dy ndeshjet e para dhe për më tepër, rrezikon pezullimin me një tjetër karton. Pessina është zëvendësuesi i tij i parë dhe është në formë të mirë, ndaj mund të luajë ai”, u shpreh Mancini.

Top Channel