Dy luftanije të Marinës Mbretërore u nisën nga Mbretëria e Bashkuar drejt Paqësorit për një dislokim 5 vjeçar. Ato do të jenë “sytë dhe veshët” e Londrës nga bregu perëndimor i Afrikës deri në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara, thuhet në një deklaratë të Ministrisë Britanike të Mbrojtjes.
“Dy të tretat e botës është këndi ynë i lojërave,” tha nënkolonel Ben Evans, komandanti i i HMS Spey, një anije patrullimi 2,000 toneshe, 91 metra e gjatë e cila do t`i bashkohet HMS Tamar për një mision, i cili nuk pritet t`i shohë ato të kthehen në portin e tyre në Portsmouth deri në vitin 2026.
Ndërsa patrullojnë ujërat e Oqeanit Paqësor dhe Indian, luftanijet do të dalin në veri deri në Detin Bering dhe në jug deri në Zelandën e Re dhe shtetin Australian të Tasmanisë.
Në qendër të atij rajoni është Kina, tensionet e së cilës me aleatin kryesor të Britanisë, Shtetet e Bashkuara, janë sot në një pikë mjaft të lartë. Luftanijet britanike do të bashkëpunojnë me aleatët duke kryer patrullime sigurie, ndërsa pritet të angazhohen edhe në përpjekjet për të frenuar trafikimin e drogës, kontrabandën, terrorizmin dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Top Channel