Zjarret “nuk lenë të qetë” Vlorën/ Digjen dhjetëra ullinj në Panaja

07/09/2021 11:17

Dhjetëra pemë ullinjsh janë shkrumbuar nga zjarri që ka përfshirë paraditen e sotme fshatin Panajë të Vlorës.

Një zjarrfikëse ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por situata duket e papërballueshme. Flakët kanë përfshirë jo vetëm shkurre por dhe drurë të shumtë me ullinj. Sipas banorëve të zonës, nëse flakët favorizohen, mund të kalojnë dhe në anën tjetër të rrugës, zonë e cila është e tëra me ullishte.

Edhe pse kanë kaluar rreth 2 orë në luftë me flakët, zjarret ende janë të fuqishëm. Dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht.

Deri më tani, nga “shpërthimi” i zjarrit dëmet materiale kanë qenë të shumta, por fatmirësisht asnjë njeri nuk është lënduar.

Ndërkohë, zjarrfikësja ka shkuar në vendngjarje për të bërë zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Qarku i Vlorës llogarit një bilanc të rëndë, për sa i përket dëmeve që kanë shkaktuar zjarret, që përfshinë vendin këtë verë. Janë djegur qindra hektarë shkurre e pyje, ndërkohë që punonjësve zjarrfikës iu deshën mbi dy javë beteja nga toka dhe ajri për të neutralizuar vatrat aktive, si ato që rrezikuan parkun kombëtar të Llogorasë.

Top Channel