Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Fati i Lojërave”, si rezultat i të cilit kanë rënë në pranga tre persona, konkretisht pronari i lokalit dhe dy bashkëpunëtorët e tij, si dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit: M.S (D) 33 vjeç, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit”, “ Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm”, pasi gjatë kontrollit në një bar-kafe të paregjistruar në organet tatimore në disponim të shtetasit M.S, në lagjen ‘Partizani’ të qytetit të Shkodrës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra për lojën e pokerit që ky shtetas e organizonte në lokalin e tij.
A.D., 37 vjeç dhe H. Y., 47 vjeç , për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit”. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin M.S, organizonin veprimtarinë lojrave të fatit”, njofton policia.
Nëntë personat e tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit”, pasi u gjetën në ambientet e lokalit duke luajtur lojëra fati të kundraligjshme.
Si rezultat i operacionit është sekuestruar një tavolinë pokeri, çipsa, letra që shërbenim për lojërat e fatit dhe një shumë eurosh.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër për veprime të mëtejshme
Top Channel