Policia rrugore vijon më kontrollet intensive në të gjithë vendin dhe njofton se vetëm në 72 orët e fundit janë arrestuar dhjetëra drejtues automjetesh dhe janë pezulluar mbi 200 patenta.

Pas kontrolleve me dronë radarë, kamera, alkool testues policia ka arrestuar në flagrancë 34 shoferë, 19 prej të cilëve udhëtonin pa leje drejtimi dhe 15 të tjerë në gjendje të dehur duke qenë kështu një burim aksidenti.

Po ashtu, policia ka pezulluar 209 leje drejtimi për shpejtësi tej normave, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për qarkullim në sens të kundër.

7101 drejtues janë ndëshkuar me masë administrative në të gjithë vendin gjatë 72 orëve të fundit.

Në njoftimin e policisë thuhet se:

Vijojnë në të gjitha rrugët e vendit, qendrat urbane dhe rurale kontrollet intensive nga Policia Rrugore, me radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Si rezultat i kontrolleve gjatë 72 orëve të fundit, janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar dhe drejtues mjetesh që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 34 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 19 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 15 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë pezulluar 209 leje drejtimi, nga të cilat 136 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 65 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 8 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 7101 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës dhe për parkime të gabuara.

Top Channel