U denoncua në Fiks Fare! Falsifikonin tamponët e “COVID-19”, 5 të arrestuar. Ja si funksiononte skema

07/09/2021 10:04

5 persona janë arrestuar në Durrës, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht dhe një u shpall në kërkim për falsifikim të tamponeve të covid.

Bëhet fjalë për dy agjenci të ndryshme udhëtimi pranë portit të Durrësit, Kristal Travel dhe Ida Agjenci, kryejnë rolin e ndërmjetësit për të nxjerrë përgjigje false të tamponit të covid 19.

Ishin gazetarët e Fiks Fare ata që arritën të dokumentonin me zë dhe figurë mënyrën e falsifikimit të tamponit si edhe siguruan dokumentin me përgjigje ‘Negative’ pa kryer testin. Punonjësja e agjencisë Kristal Travel në momentin që gazetari i Fiksit është interesuar për një biletë udhëtimi bashkë me çmimin e biletës i ka ofruar edhe përgjigjen ‘Negative’ të tamponit Covid-19. Kjo kundrejt një pagese ekstra prej 25 eurosh për një udhëtim drejt Italisë.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/09/06/skandal-fiks-fare-zbulon-skemen-e-mashtrimit-laboratore-dhe-agjenci-falsifikojne-tamponet-e-covidit/

Njoftimi i policisë

Dy  raste janë goditur nga policia, të mashtrimit dhe falsifikimit të tamponëve ndaj qytetarëve të cilët udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, në qytetin e Durrësit, ku 1 rast kryhej në bashkëpunim midis agjensisë së udhëtimit dhe laboratorit për kryerjen e testeve, dhe 1 rast falsifikimi dhe mashtrimi kryhej nga vetë agjensia e udhëtimit.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

V. B., 65 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Mashtrimi”, e punësuar pranë një agjensie udhëtimi, në lagjen nr.4., Durrës;

A. C., 24 vjeçe, për veprën penale “Mashtrimi”, B. M., 25 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, A. D., 23 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të 3 banues në Durrës dhe të punësuar pranë një laboratori në lagjen nr.4, Durrës.

Gjithashtu u shpall në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetasi L. L., 52 vjeç, administrator i laboratorit në lagjen nr.4, Durrës.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qënë të punësuar pranë agjensisë turistike dhe laboratorit, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, paisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, me testime “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit.

Po nga këta struktura, u arrestua në flagrancë për veprat penale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetësja A. B., 24 vjeçe, si dhe u procedua penalisht për të njëjtat vepra penale, shtetësja O. S., 40 vjeçe, të 2-ja, banuese në Durrës.

Këta shtetase në bashkëpunim me njëra-tjerën, duke qënë të punësuara pranë një agjensie udhëtimesh, në lagjen nr.4, Durrës, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, paisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, me teste “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan njesi kompjuterike të 2 agjensive, tamponë për kryerjen e testeve dhe disa fletë me përgjigjie të testeve të falsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA