Ashtu siç gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha kishte raportuar më herët Alekt Hatia do të ekstradohet nga Shqipëria drejt Italisë. 48-vjeçar është i lakuar si një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës dhe heroinës, që kap vlera fitimi deri në 40 milionë euro.
Pas një “Odiseje” disa vjeçare mes gjykatave dhe betejës për drejtësi mes Shqipërisë dhe Italisë, Gjykata e Apelit vendosi ekstradimin drejt Italisë të Alket Hatisë, një 48-vjeçar i përfolur e i lakuar si një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës dhe heroinës, që kap vlera fitimi deri në 40 milionë euro.
Vendimi për të akuzuarin si baroni i drogës u shpall nga gjyqtari Valbon Çekrezi , i cili ka pranuar kërkesën e akuzës, që në vazhdimësi kishte pësuar humbje përballë Hatisë. Dështimi më i fundit i drejtësisë që e dërgoi në liri trafikantin, i përket vitit 2018 , kur një tjetër gjyqtar i tha jo Italisë me pretendimin se një pjesë të dënimit për çfarë e kërkon Interpol Roma, i dyshuari e kishte shlyer në burgjet shqiptare.
Pavarësisht verdiktit të italianëve që e shpallën fajtor pasi akuzohet se trafikoi në Milano vetëm përgjatë një viti, ngarkesat prej 350 kg heroinë e 190 kokainë, Alket Hatia u dënua për disa prej këtyre episodeve edhe në Shqipëri. Ndonëse nën akuzë për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik , i dyshuari mori dhjetë vjet burgim në Shqipëri, teksa italianët në mungesë të tij, i prenë faturën e 20 viteve burgosje.
Jo pak herë, emri i Alket Hatisë ka hapur debate mes institucioneve që kulmuan me kërkesën për hetim ndaj gjyqtarëve, atëherë kur u refuzua ekstradimi i tij.
Gjykata e Posaçme sekuestroi ndërkohë, edhe pasuritë e baronit , të atij dhe familjarëve të tij.
Sipas Gjykatës se Posaçme mes pasurive që janë identifikuar nga SPAK janë toka dhe apartamente në Durrës si dhe kuotat e një shoqërie që i përkasin një të afërmi, ndonëse disa prej këtyre pasurive kanë qenë nën shenjestër edhe me ligjin e antimafias.
Top Channel