Ambasadorja Yuri Kim takohet me ish ministren Gjonaj: Reforma në Drejtësi po jep rezultat falë kontributit të saj

07/09/2021 18:14

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zhvilluar një takim me ish-ministren e Drejtësisë Etilda Gjonajn, të cilën Kryeministri vendosi ta zëvendësojë me Ulsi Manajn, e megjithatë ajo mbetet ministrja më jetëgjatë si dhe femra e parë në këtë post, ashtu siç nënvizon edhe ambasadorja Kim.

Përmes një postimi në Twitter, Kim ka falënderuar Gjonajn për kontributin e saj mbi reformën në drejtësi e cila sipas saj ka dhënë rezultat.

Më tej, diplomatja amerikane thotë se SHBA do të vijojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi.

Ajo shprehet se drejtuesit dhe institucionet e drejtësisë të vijojnë përpara për të dhënë akoma më shumë rezultate që do i shërbejnë Shqipërisë të plotësojë standartet europiane.

“U takova me Etilda Gjonajn për ta falënderuar për përfundimin e mandatit të saj të jashtëzakonshëm si Ministre e Drejtësisë, personi më jetëgjatë dhe gruaja e parë në këtë pozicion kyç. Ne vërejmë veçanërisht udhëheqjen e saj mbi reformën në drejtësi, e cila me kontributin e saj ka filluar të japë rezultate. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Shpresojmë që të gjithë drejtuesit dhe institucionet e drejtësisë do të vazhdojnë të ecin përpara për të dhënë më shumë rezultate që i shërbejnë popullit të Shqipërisë të plotësojnë standardet e BE dhe të afrojnë Shqipërinë me SHBA” – shkruan Kim.

Top Channel