Shëngjin/ Mjeti që po lundronte familja fundoset, 35-vjeçari rrezikoi mbytjen në det, shpëtohet nga policia

06/09/2021 16:51
Foto Ilustruese

Policia Kufitare Shëngjin në bashkëpunim me Policinë Kufitare Shkodër kanë shpëtuar nga mbytja një 35-vjeçar, që rrezikoi të mbytej në det. Ai sapo kishte dalë  bashkë me familjen në një mjet të vogël lundrues, ku si pasojë e dallgëve të mëdha mjeti u fundos.

“Shërbimet e Policisë kufitare Shëngjin kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det dhe si pasojë e dallgëve të mëdha  personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në grykëderdhjen e lumit Buna.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues të Policisë menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe sherbimet e Policisë Kufitare Shkodër.

Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare u bë e mundur të shpëtohet shtetasi: D.P., 35 vjeç”, njofton policia.

Mjeti ishte nisur nga Shëngjini për në grykëderdhjen e lumit Buna, ku familjarët kanë mundur të  zbrisnin nga mjeti lundrues, ndërsa shtetasi D.P., nuk ka arritur të zbresë, pasi e kanë tërhequr dallgët duke e përmbysur dhe fundosur mjetin e tij lundrues.

Ndërhyrja në kohë e Policisë Kufitare, bëri të mundur shpëtimin e shtetasit D.P., i cili është dërguar në spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa familjarët janë dërguar në  banesën e tyre në Shëngjin.

Top Channel