Fasonët, kërkohet vaksinë me detyrim/ ‘Rreth 30 për qind e punonjësve vijojnë të jenë të pavaksinuar’

06/09/2021 19:45

58 mijë punëtorë që operojnë në rreth 700 ndërmarrje të sektorit fason rrezikohen nga mutacionet e reja të COVID.

Flori Zeka, anëtar i shoqatës Pro Export mendon se vaksinimi duhet të bëhet me detyrim për punonjësit e këtij sektori, ku 95% e tyre janë gra.

“Duke marrë parasysh që po i afrohemi stinëve të ftohta, mënyra e ajrosjes në ambiente është më e vështirë dhe në këto kushte ne mendojmë që vaksinimi duhet të bëhet me detyrim”.

Të cilësuar edhe si sektorë prioritarë nga qeveria punonjësit e industrisë fasone ishin ndër të parët që morën dozat kur filloi fushata e vaksinimit. Por, pavarësisht kësaj 30% e tyre vazhdojnë të jenë të pavaksinuar sipas Zekës:

“Kemi filluar të sensibilizojmë punëtorët tonë që vaksinimi është i detyrueshëm, që është e vetmja rrugë që na mbron nga Covidi, por mendojmë që sensibilizmi nuk dha frytet e duhura dhe prandaj mendojmë se duhet të bëhet i detyrueshëm. Plan alternativ nuk ka dhe nëse qeveria e bën të detyrueshëm ata që nuk pranojnë të bëjnë vaksinën do përballen me sanksione nga qeveria”.

Komiteti Teknik vendosi që punonjësit e shëndetësisë, si dhe studentët që do të hyjnë në auditore e kanë të detyrueshëm vaksinimin.

Top Channel