Aktori i njohur i humorit shkodran, Paulin Preka ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 86-vjeçare.
Mjeshtrat e Mëdhenj Zef Deda, Besnik Çinari dhe Drane Xhaj flasin me dhimbje për humbjen e artistit. Ata tregojnë për vitet e bukura të bashkëpunimit dhe artin e humorit të vërtetë që Paulin Preka prodhoi ndër vite.
“Paulini ka qenë aktor shumë i mirë, i besueshëm, i vërtetë. Spektatori ka parë veten kur ka parë Paulin Prekën. E ka mbajtur gjallë estradën profesioniste të Shkodrës, me shkrimet e tij humoristike, me regjinë e tij, me batutën e tij të famshme”, kujton Besnik Çinari.
“Një nga aktorët më të shkëlqyer të skenës së humorit shqiptar. Paulin Preka ishte super profesor për mua. Jam ndjerë shumë e sigurt në skenë. Sepse çdo artist të kishte partner Paulin Prekën ishte një mrekulli“, shprehet Drane Xhaj.
“Unë kam humbur një mik, një prind dhe një koleg të mrekullueshëm, sepse Paulin Preka ishte jo vetëm partner, jo vetëm koleg, por ishte si prind për mua”, thotë artistja mes lotësh.
Sipas aktorit Zef Deda, shtëpia e Paulin Prekës ishte skena, ku ai kaloi pjesën më ta madhe të jetës”
“Mjeshtri i madh, asnjëherë nuk e ndau skenën, qoftë në shtëpi, qoftë në shoqëi. Dhe gjithmonë aty rrinte. Me pasion e me shpirt, e me dashuri të madhe. Ne të rinjtë i kishim sytë te ai, sepse donim të kuptonim cila ishte e forta dhe e sinqerta për spektatorin“.
Deda ngre shqetësimin se artit shkodran e atij shqiptar në përgjithësi po i ikin artistë të mëdhenj:
“U bënë disa vite që arti e kultura në Shqipëri ka rënë shumë. Edhe pse kanë vdekur, kanë ikur, janë plakur e kanë dalë në pension. Por, ata që janë plakur duhet të sjellin të rinj. Nuk mund të thuhet që ka art e ka kulturë, përderisa nuk hapet skena“.
Mjeshtri i Madh numëron dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, ku ka spikatur me estradën e Shkodrës në shumë aktivitete brenda e jashtë vendit.
Top Channel