Serbia regjistron një tjetër sukses në eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 4-1 ndaj Luksemburgut në Beograd dhe të ngjitet në krye të grupit A me 10 pikë, aq sa ka edhe Portugalia e Cristiano Ronaldos.

Serbët shënuan dy herë në pjesën e parë me anë të sulmuesit Aleksandar Mitrovic, ndërsa më pas Luksemburgu rihapi takimin me Thill, por një autogol i Chanot dhe një gol i mbrojtësit Milenkovic në minutat shtesë, vulosën suksesin e vendasve.

Në sfidën tjetër të grupit, Azerbajxhani i Giano De Biasit mori pikën e parë në këto eliminatore, falë barazimit 1-1 të arritur në transfertën ndaj Irlandës. Azerët kaluan të parët në avantazh me anë të Makhmudov në shtesën e pjesës së parë, por Duffy në të 87-ën bëri që t’u ikte fitorja nga duart.

Bën detyrën edhe Norvegjia e Erling Haaland, që triumfoi me rezultatin 0-2 në transfertën ndaj Letonisë dhe u ngjit përkohësisht në krye të grupit me 10 pikë. Pikërisht sulmuesi i Borussias së Dortmundit zhbllokoi sfidën me një penallti të ekzekutuar saktë në pjesën e parë, ndërsa më pas ishte Elyounoussi që vulosi suksesin.

Në grupin H, Rusia provon shkëputjen në krye, pasi ia doli të marrë tre pikët në transfertën ndaj Qipros dhe të shkojë në kuotën e 10 pikëve në total pas 5 ndeshjeve të zhvilluara. Erokhin dhe Zhemaletdinov ishin autorët e golave për rusët, ndërsa në të njëjtin grup, Sllovenia triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Maltës.

Top Channel