
Gjendet pas më shumë se 12 orësh, trupi i pajetë i 45-vjeçarit që u zhduk në liqenin e Prespës gjatë mëngjesit të sotëm.
Trupi i pajetë i peshkatarit është gjetur në vendin e quajtur Oso, pranë kufirit me Greqinë.
Kujtojmë se shtetasi S.V. doli gjatë mbrëmjes së djeshme për të peshkuar dhe si pasojë e dallgëve të forta të liqenit të Prespës iu përmbys varka.
“Në vijim të informacionit paraprak datë 05.09.2021, ju informojmë se grupi i polumbarëve pas kërkimeve të kryera, bënë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupit të pajetë të shtetasit S. V., dhe varkës së tij nga liqeni i Prespës, i cili kishte dalë një natë më parë për të peshkuar”, thuhet në njoftimin e bërë nga policia.
Trupi i pajetë do të transportohet drejt morgut të Spitalit të Korçës, ku do të pritet përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Top Channel