Murat Yakin do të debutojë në pankinën e Zvicrës me sfidën eliminatore të Kupës së Botës Katar 2022 ndaj Italisë kampione Europe, megjithatë shprehet optimist për performancën e helvetëve dhe beson te mbështetja e tifozëve që do të mbushin “St. Jacob’s Park”.

“Luajmë ndaj kampionëve të Europës, por nuk duhet t’i trajtojmë kundërshtarët tanë si më të fortë nga sa janë në të vërtetë. Kemi shumë kualitet në skuadër dhe besoj se do të shfaqemi agresivë, falë edhe mbështetjes së tifozëve. Situata në grup është e favorshme dhe besoj se me një rezultat pozitiv do të rritim ndjeshëm shanset tona për një vend në Botëror”, deklaroi Yakin.

Kapiteni Granit Xhaka nuk do të jetë në dispozicion të Zvicrës, pasi është prekur nga koronavirusi, ndërsa përveç tij do të mungojnë për shkak dëmtimi edhe titullarë të tjerë si Xherdan Shaqiri, Embolo, Freuler dhe Gavranoviç, megjithatë Yakin nuk duket i shqetësuar.

“Nuk mund të zëvendësojmë në mënyrën e duhur të gjithë mungesat, megjithatë nuk do ta ndjejmë mungesën e tyre, nëse luajmë si një grup i vërtetë. Duhet të shpërndajmë përgjegjësinë në sa më shumë shpatulla”, deklaroi tekniku helvet.

Zvicra ka luajtur vetëm dy ndeshje në grupin C dhe ka marrë 6 pikë të plota, që e renditin në vendin e dytë me 4 pikë më pak se Italia kryesuese, që nga ana tjetër ka zhvilluar 4 takime deri tani. Përballja Zvicër-Itali do të startojë nesër në orën 20:45 dhe do të transmetohet live në ekranin e Supersport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA