Ndeshje deçizive ndaj Zvicrës, Mancini: Nuk duhet të humbim në kujtime, ndaj Zvicrës dua fitore

04/09/2021 23:47

Barazimi ndaj Bullgarisë në Firenze ka komplikuar disi rrugëtimin e Italisë në eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, me kampionët e Europës që do të udhëtojnë drejt Bazelit për t’u përballur me Zvicrën, në një sfidë mjaft të rëndësishme për renditjen.

Trajneri Roberto Mancini pranon rëndësinë e takimit dhe kërkon që të tijtë të lënë pas krahëve kujtimin e bukur të 11 korrikut e të shohin përpara, pasi tani është një tjetër kompeticion dhe duhet sërish mund për të arritur objektivat.

“11 korriku është i bukur, por ne nuk duhet të humbim në kujtime, pasi e ardhmja është ndryshe dhe duhet të luftojmë. Ndaj Zvicrës na pret një sfidë e vështirë dhe do të luajnë lojtarët që janë gati për të dhënë maksimumin. Ndaj Bullgarisë nuk ia dolëm, por jam i bindur që nëse përsëritim të njëjtën ndeshje në Bazel, mund të marrim tre pikët ndaj Zvicrës”, u shpreh tekniku italian.

Marco Verratti pritet të jetë mungesa e vetme e kampionëve të Europës në transfertën helvete, pasi ka pësuar një goditje në gju ndaj Bullgarisë, ndërsa Mancini pranon se po shqyrton disa mundësi për ta zëvendësuar.

“Të gjithë djemtë janë mirë, përveç Verrattit, që pësoi një goditje në gju dhe nuk besoj se do t’ia dalë. Kemi alternativa në atë rol dhe një prej tyre është Pellegrini, që mund të luajë fare mirë, ndonëse është një lojtar me karakteristika më sulmuese”, tha Mancio.

Top Channel